Ferizaj

Testi i maturës sivjet me masa të rrepta, dënime deri 3 mijë euro e ndjekje penale

By FerizajPress

June 25, 2021

Këtë vit do të ketë masa më të rrepta në testin e maturë, nuk lejohet as sjellja e telefonave celular nëpër shkollat ku do të mbahen testet.

Zv.ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Dukagjin Pupovci përmes një konferencë për medie ka bërë të ditur masat që do të ndërmerr ministria për parandalimin e keqpërdorimit në Provimin e Maturës Shtetërore

Sipas asaj që tha Pupovci, këtë vit nuk lejohet as sjellja e telefonave celular nëpër shkollat ku do të mbahen testet, ndërkaq bëri të ditur se kujtdo që i gjendet telefoni, do të përjashtohet nga testi, pavarësisht nëse e ka përdorur ose jo atë.

Dënimet për administruesit do të jenë si edhe herëve të tjera nga 500 deri në 3 mijë euro, por nëse shihet e nevojshme ata që i shkelin rregullat do të ndiqen edhe penalisht.

“Është përgatitur plani i veprimit për organizimin e takimeve informuesit nëpër komuna, që do të jenë të angazhuar në cilësinë e administruesit. Për t’i minimizuar keqpërdorimet me të cilat për fat të keq jemi përballur vazhdimisht, këtë vit është e ndaluar sjellja e telefonave celular në shkollë. Kështu që të gjithë duhet të lënë celularin në shtëpi”, tha Pupovci.

Ai shtoi se, “Administruesve u janë dhënë udhëzime, të jenë shumë strikt në këtë aspekt, pra secilit nxënës që i gjendet celulari, pavarësisht nëse e ka shfrytëzuar apo jo, do të largohet nga provimi”, theksoi ai.

Procesi do të monitorohet nga shoqëria civile, ndërkaq Pupovci shtoi se “lus të gjithë administruesit dhe vëzhguesit që të jenë në nivel të detyrës, që të mos bie edhe cilësia e provimit”.

“Ne do t’i trajtojmë të gjitha parregullsitë eventuale dhe do të iniciojmë procedurë ligjore ndaj të gjithë atyre që i shkelin rregullat. Me lejoni të ju rikujtoj që sipas ligjit, administruesit dhe mbikëqyrësit që nuk i respektojnë rregullat e administrimit të testit ndëshkohen me gjobë prej 300 deri 500 euro”, tha zëvendësministri i arsimit.