Ferizaj

Tërnava: Zoti na obligon të mbrojmë shëndetin publik, prandaj shmangini vizitat familjare për Bajram

By FerizajPress

May 23, 2020

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i është drejtuar besimtarëve një ditë para festës së Bajramit.

Ngjashëm si konferencat e fundit, ai bëri thirrje besimtarëve që të durojnë në këtë kohë pandemie pasi po privohen nga shumë nga rite të festës, duke thënë se durimi është virtyti më i mirë që mëson Ramazani, njofton Klan Kosova.

“Sonte në vaktin e iftarit besimtarët mbyllim agjërimin, një ndër themelet e besimit islam, që kryhet vetëm për krijuesin. Agjërimi ngërthen vlera të shumta, përmes së cilave arrijnë kënaqëisnë e krijuesit. Agjërimi i Ramazanit e bën besimtarin më të kujdesshëm ndaj familjes dhe komunitetit dhe e bën më të dashur, më të urtë dhe human. Këto janë vlera që i japin kuptim dhe substancë misionit të njeriut në këtë botë”.

“Agjërimi i Ramazanit kërkon përkushtim, sakrificë rregull e qetësi. Ky ramazan si për ne dhe besimtarët e botës qe i veçantë pasi po përballemi me virusin. Për shkak të pandemisë jemi privuar nga namazet e xhamisë, na kanë munguar taravitë, na kanë munguar iftaret dhe vizitat në familje, që gjithashtu janë prej nimeteve të këtij muaji”.

Tërnava tha se mbrojtja e shëndetit publik është e obliguar edhe fetarisht.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik i kemi kryer të gjitha lutjet në ambiente familjare. I kemi shndërruar shtëpitë në xhami. Kujdesin për shëndetin publik e kemi urdhër nga i madhi Zot dhe nga porositë e pejgamberit tonë të dashur, Muhamed Mustafasë, si dhe nga mësimet dhe praktikat e hershme të mjekëve myslimanë”.

“Sipas njohësve të fushës, pandemia po shkon drejt fundit,por virusi është ende ne mesin tonë, prandaj na duhet ende durim që të dalim me sa më pak pasoja nga virusi. Nëse keni kuptuar drejt dhe keni mësuar virtytet që jep agjërimi për besimtarët atëherë duhet të jemi të durueshëm ngase agjërimi është simbol i durimit dhe qëndrueshmërisë”.

“Populli ynë ka ditur gjithmonë të rreshtohet drejt dhe ka manifestuar kulturë të lartë të përgjegjësie. Edhe tani u dëshmua më së miri me respektimin e udhëzimeve të kompententëve”.

“Nesër kemi festë, por shkaku i pandemisë nuk kemi mundësinë të falemi, andaj ruani karakterin festiv. Shmangeni vizitat që bëhen për Bajram sepse rreziku s’ka kaluar ende. Me disiplinën tonë mund të bëjmë që të zvogëlohet”.

“Ju përgëzoj dhe ju uroj. Me hajër e me të mira na qoftë festa e Fitër Bajramit”.