Ferizaj

Tërnava: Kemi pezulluar mësimin fetar, Xhumanë faleni nëpër shtëpia

By FerizajPress

March 14, 2020

Bashkësia Islame e Kosovës sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme rreth gjendjes së krijuar pas infektimit të tre personave me koronavirus.

Kryetari i BIK’ut, Naim Tërrnava tha se në këtë mbledhje është vendosur që të pezullohet procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore fetare dhe përkohësisht është pezulluar falja e organizuar e namazeve ditore dhe namazit të Xhumasë, nëpër objektet fetare të vendit.

“Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara, Kryesia e BIK’ut pezullon përkohësisht faljen e organizuar të namazeve ditore dhe namazin e xhumasë. Besimtarët porositen që ditën e premte ta falin namazin e drekës si zëvendësim i namazit të xhumasë”, ka thënë Tërrnava.

Tërrnava ka thënë se ezani do të vazhdojë të thirret në çdo kohë të namazit.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme me rastin e përhapjes së virusit COVID 19, të mbajtur më datë 14 mars 2020, merr këto vendime dhe rekomandime si në vijim:

Vendimet:

1. Është obligim fetar t’iu përmbahemi me përpikëri të gjitha vendimeve, masave dhe rekomandimeve të dala nga Institucionet kompetente të Republikës së Kosovës në parandalimin e përhapjes së Virusit COVID 19.

2. Pezullohet procesi mësimor në të gjitha Institucionet tona arsimore-fetare, mësim-besimi në të gjitha xhamitë dhe mektebet si dhe puna në të gjitha konviktet e Bashkësisë Islame të Kosovës.

3. Anulohet përkohësisht organizimi i të ligjëratave, tribunave, seminareve dhe takimeve të ndryshme me xhemat.

4. Pezullohet organizimi i Umres, deri në një vendim tjetër.

5. Të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve arsimore (FSI, Medrese, konvikte); objekteve administrative të Bashkësisë Islame të Kosovës; si dhe objektet fetare (xhamitë, mesxhidet, mektebet, abdes’hanet, gusulhanet, dhe objektet tjera përcjellëse).

6. Duke u mbështetur në rrethanat e krijuara në Kosovë me përhapjen e rasteve të infektuara me virusin Covid 19, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës pezullon përkohësisht faljen e organizuar me xhemat të namazeve ditore dhe namazit të xhumasë. Ndërsa besimtarët porositen që ditën e premte ta falin namazin e drekës, si zëvendësim të namazit të xhumasë në shtëpitë e tyre. Ndërsa ezani do të vazhdojë të thirret në çdo kohë të namazit ditor.

Rekomandimet:

1. Të pezullohen përkohësisht të gjitha organizimet me rastin e ngushëllimeve–të pameve, ndërsa ceremonia e varrimit të organizohet nga rrethi sa më i ngushtë familjarë.

2. Të shtyhen ceremonitë fetare e familjare të parapara si Synetitë, Mevludet, Qelimet, Fejesat, Dasmat, etj.

3. Të vazhdohet me inkurajimin e besimtarëve që të shtojnë kujdesin ndaj pastërtisë duke respektuar parimet fetare dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Në fund, edhe njëherë ua rikujtojmë besimtarëve tanë se, përhapja e dezinformatave duke shkaktuar shqetësim e panikë të panevojshme te qytetarët, si dhe ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe medikamenteve në kohë krizash, janë të ndaluara fetarisht.

Bashkësia Islame e Kosovës si në të kaluarën edhe tani do të jetë gjithnjë pranë qytetarëve, dhe fton besimtarët për më shumë solidaritet.

Bashkësia Islame e Kosovës në bazë të rrethanave të reja eventuale në të ardhmen do ta mbajë opinionin të informuar vazhdimisht.

Lusim Zotin që sa më shpejt dhe lehtë të kalojë kjo gjendje në të cilën gjendemi tani!