Haron Shabanaj, imami i xhamisë “Shehidët e 13-të” të Drenocit të Deçanit tregoi për KALLXO.com se si u dogj ky objekt kulti mbrëmjen e djeshme.
“Dje e kemi falur namazin e xhumasë bashkë me xhematin në atë xhami, nuk kemi pasur gjatë tërë ditës energji elektrike. Gjatë tërë ditës së dimrit jemi nxehur me stufë. Në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga banorët se xhaminë e ka kapluar zjarri, sipas tyre një kabllo e rrymës ka qitur zjarr,” tha Shabanaj.
Shabanaj deklaroi se xhamia ishte kryesisht e ndërtuar prej druri, prandaj zjarri e ka djegur thuajse tërësisht.
Xhamia e Drenocit është ndër më të vjetrat në Deçan, e ndërtuar në vitin 1773.
Shkëndijat e zjarrit të ardhura nga kablloja e rrymës që e lidh xhaminë me trafon, i konfirmoi edhe kryetari i Drenocit Halil Dukaj.
“Banorët afër xhamisë e kanë vërejtur së një kabllo e cila shkon prej trafos që është rreth 80 metra larg xhamisë ka qitur shkëndija, kanë lajmëruar organet kompetente. Kablloja prapë ka vazhdu me qit shkëndija ndalu-dhezu edhe me pas ka filluar edhe flaka. Janë munduar me bo diçka po xhamia ka qenë komplet e mbështjellur me llamapri dhe është djegur krejt,” tha kryetari Halil Dukaj.
Djegien e xhamisë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës Xhevat Ibraj, i cili tha se ekipet policore i janë përgjigjur menjëherë kësaj situate.
Ibraj tha se ky rast do hetohet nga njësitet përkatëse, ndërsa djegien e xhamisë nën dyshimet se ajo u shkaktua nga rryma elektrike e bëri të ditur sot edhe policia në raportin e saj të përditshëm.
KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga njësitet e zjarrfikësve në Deçan po kontakti me ta ka qenë i pamundur.