Ferizaj

Tentim vrasje në Ferizaj – viktima qëllohet me armë zjarri nga afërsia, autori në arrati

By FerizajPress

December 22, 2025

Një rast i rëndë i tentim vrasjes është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Ferizaj, ku një person është qëlluar me armë zjarri nga afërsia, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim policor.

Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 23:30, në rrugën “Vesli Klark” në Ferizaj. Sipas informatave, Policia është njoftuar për një incident të rëndë me të shtëna armësh.

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve (SRH), në bashkëpunim me forenzikën rajonale, njësitet patrulluese dhe dy ekipe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH), kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë konfiskuar tri gëzhoja, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se janë siguruar edhe incizime nga kamerat e sigurisë të lokaleve përreth, ku shihet qartë personi i dyshuar duke shtënë nga afërsia në drejtim të viktimës.

Pas hetimeve preliminare, Policia ka identifikuar të dyshuarin si A.R. 30 vjecar, i cili pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe është shpallur në kërkim policor.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, njësitet policore kanë bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk e dinë vendndodhjen e tij.

Ndërkohë, hetuesit kanë vizituar edhe Qendrën Emergjente në Prishtinë, ku sipas mjekut kujdestar, viktima A.D. 54 vjecar, ka pësuar tri plagë nga arma e zjarrit, është futur në sallë operative dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Rasti është cilësuar si “Tentim vrasjeje”, ndërsa SRH është autorizuar të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e të dyshuarit.