Lajme

Telekomi ende në krizë financiare

By FerizajPress

September 18, 2018

Sipas ministrit, shpenzimet operative kanë qenë problemet kryesore të Telekomit Pavarësisht se në muajin gusht kishte të hyra mbi 8 milionë euro, Telekomi vazhdon të jetë në krizë financiare të madhe dhe për shpëtimin e tij duhet të ulen pagat, por vetëm pasi të ketë një vlerësim korrekt të secilit punëtor.

Kjo është bërë e ditur sot gjatë një vizite që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i bëri Telekomit të Kosovës, me ç’rast është pritur nga kryeshefi i kësaj kompanie dhe Bordi i Drejtorëve.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Gent Begolli, duke pranuar se kjo ndërmarrje publike është në krizë të madhe financiare ka thënë se e kanë njoftuar ministrin për gjendjen aktuale dhe masat e shpëtimit të Telekomit.

Ai tregoi edhe për masat e ndërmarra e që disa janë ato të reduktimit të shpenzimeve nga qiraja. Begolli ka thënë se të hyrat në muajin gusht kanë shkuar në 8 milionë e 741 mijë euro, që është një rekord krahasuar me vitin 2009.  Ai ka thënë se ka njoftuar ministrin për të gjitha iniciativat në dobi të Telekomit , mirëpo pranon se ende kjo kompani është në një krizë financiare të madhe.

Ministri Lluka ka thënë se është me rëndësi që nëse të hyrat rriten në Telekom dhe kostot e shpenzimet zvogëlohen, kjo është rruga e duhur për ta ristrukturuar tërësisht ndërmarrjen.  Sipas tij, shpenzimet operative kanë qenë problemet kryesore të Telekomit që ka pasur një situatë për t’i humbur rreth 15-16 milionë euro në vit.

Lluka ka shtuarse ajo çka është me rëndësi është që ta inkuadrojnë Bankën Botërore, e cila ka shpreh interesim së bashku me BERZH-in si asistencë teknike për ta bërë ristrukturimin sidomos të pikave të shitjes, të gradimit të punëtorëve. Mirëpo, në të njëjtën kohë Telekomi ka shpallur një tender rreth gjysmë milion euro për ta angazhuar një kompani private për rivlerësim të vendeve të punës,  për të cilin tender, ministri

Lluka ka thënë se nëse sigurohet asistenca teknike nga BB dhe BERZH mund të anulohet tenderi. Ministri i Zhvillimit Ekonomik po ashtu ka thënë se për ta shpëtuar Telekomin, duhet të ulen pagat, por sipas tij, vetëm pasi të ketë një vlerësim korrekt të secilit punëtor. Ndërsa, kryeshefi Begolli në fund ka thënë se janë mbi 983 padi nga punëtorët e Telekomit të natyrave të ndryshme.