Qytetarët e fshatit Sllatinë të Epërme të Vitisë, kanë nisur aksionin për pastrimin e gjitha hapësirave publike në fshat nga mbeturinat e amvisërisë si dhe materialeve ndërtimore. Ky aksion po përkrahet fuqishëm nga të rinjtë e këtij lokaliteti, si dhe institucionet komunale, mërgimtarët dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe të estradës. Valmir Ymeri, kryetar i Këshillit të fshatit Sllatinë e epërme, ka thënë se të gjitha hapësirat publike në fshat janë të ngulfatura nga mbeturinat e shumta , prandaj aktivistë të ndryshëm të fshatit të përkrahur edhe nga komuna, kanë ndërmarrë iniciativën që këto hapësira të lirohen nga mbeturinat dhe në një të ardhme të afërt ato të kthehen në hapësira të gjelbëruara të cilat jo vetëm që do ti japin një pamje tjetër fshatit, por edhe do të jenë ambiente të përshtatshme pushimi dhe relaksimi. “Pos aksionit për pastrimin e hapësirave publike, si fshat jemi duke punuar edhe në pastrimin dhe rregullimin e parkut në malin “Mllak”, që njihet si zonë e mbrojtur me planin zhvillimor komunal dhe me dokumente tjera të Ministrisë së Ambientit”, ka thënë Ymeri. Përkrahje aksionit të pastrimit të hapësirave të gjelbëruara dhe realizimit të projekteve të ndryshme në interes të fshatit I ka thënë edhe solisti i njohur Fahrush Azemi, i cili pavarësisht se jeton në Prishtinë, ka shprehur vullnet që të ndihmoi fshatin e tij të lindjes. Kurse kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se komuna si çdo aksion tjetër nëpër lokalitete të ndryshme, do të përkrahë me gjitha kapacitetet e saja edhe aksionin e pastrimit në fshatin Sllatinë të Epërme. “Jemi të interesuar që gjitha fshatrat të kenë pamje tjetër dhe me pamje më të bukur , prandaj si komunë , krahas projekteve tjera do të përkrahim këtë aksion me gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, ka thënë kryetari Haliti. Aksionin e pastrimit në Sllatinë krahas qytetarëve dhe bizneseve të këtij lokaliteti, me punë dhe mjete financiare e përkrahin edhe mërgimtarët. Xhavit Islami, kryetar i shoqatës “Vitia” në Gjenevë të Zvicrës, për këtë aksion ka ndarë 50 euro,nga mjetet vetanake si dhe ka shprehur gatishmërinë që edhe personalisht edhe si shoqatë të ndihmoi edhe në aksione tjera që janë në interes për qytetarët e komunës së Vitisë. (Ibrahim Sefedini-Sllatinë e Epërme)