Editorial

TË MUNDOHEMI PËR NJË RUTINË NORMALE NË KUSHTE SHTËPIE

By FerizajPress

April 17, 2020

Këto ditë izolimi të mos kuptohen  si momente negative, por të mundohemi  t’i  bëjmë më atraktive duke zhvilluar aktivitete të ndryshme edukative dhe argëtuese, në mes fëmijëve dhe prindërve.

Ditët e izolimit për fëmijët mund të jenë pozitive duke pushuar, qëndruar në shtëpi  me prindërit. Pothuajse, të gjithë prindërit kanë qenë në punë, të ngarkuar me angazhimet e tyre, fëmijët kanë qenë në kopsht apo në shkollë, kështu që për fëmijët këto momente mund të jenë të mirëpritura.

Rreziku më i madh mund të themi se ka filluar, përditshmëria është bërë monotone, ankthi varësisht nga individi mund pësoj ngritje, kjo për arsye të informatave të shumta që marrin nga mediat dhe mjedisi ku jetojnë, brengat për sigurimin e të mirave materiale dhe shëndetsore për familjen, bëjnë që prindërit të humbin durimin.

Prandaj, këshilloj prindërit që ti zhvillojnë aktivitetet me shumë kënaqësi dhe durim, sepse çdo sjellje negative e prindërve ndikon te fëmijët, duke shkaktuar situatë paniku.

Aktivitet duhet të jenë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tyre.

Mund të supozojmë, se jemi në  momentet kur janë shpenzuar idetë, se si ta kalojmë kohën në mënyrë aktive. Për të kaluar kohën në mënyrë efektive dhe profitabile, do të ishte mirë, të fillohet të bëhet orari javor dhe ditor për planifikimin e kohës.

Rekomandojmë disa rregulla të thjeshta, por që do të kenë ndikim pozitiv te fëmijët, njëkohsisht edhe te prindërit, sepse mirëqenja e fëmijëve sjell qetësi dhe rehati në familje.

“The Library of Project – Kosova”, është faqe ku komuna e Ferizajt, respektivisht Drejtoria e Arsimit,  kanë një bashkëpunim të mirë, ju ftoj ta përcjellni këtë faqe.

Koha që i përkushtohet lojës, leximit dhe aktiviteteve të përditshme, na mundëson trup dhe mendje të shëndosh.