Lajme

Të mërkurën protestë në Prishtinë – Kërkohet shkarkimi i Lumezit

By FerizajPress

August 20, 2018

Një gjë e tillë po bëhet nëpërmjet një eventi në rrjetin social facebook.

Ajo po thirret nga iniciativa “Protestoj”, e që njihet edhe më herët për protestat në lidhje me aferën Pronto dhe çmimin e energjisë elektrike, transmeton lajmi.net.

Në njoftimin e kësaj proteste kërkohet shkarkimi i Aleksandër Lumezit, dhe gjithashtu vetting në gjyqësor.

“Qytetari i Republikës në rrethana të tilla duhet të jetë në krye të përgjegjësive dhe detyrave të veta qytetare. Sot, detyrë është kërkesa për shkarkimin e Prokurorit Lumezi dhe fillimin e procesit të vetingut për gjyqësorin e vendit tonë. Të mërkuren, me datë 22 gusht 2018, nga ora 18:00 te Sheshi “Zahir Pajaziti” fillon tubimi dhe marshi drejt Zyrës së Kryeprokurorit dhe Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në thirrjen e kësaj faqeje.

Në postim akuzohet edhe kryeministri Haradinaj, që sipas tyre po e pengon luftimin e korrupsionit.

“Tash është e qartë: prokuroria është në shërbim të politikës. Edhe po të ketë prokuror/e si Elez Blakaj që ka vullnet për ta luftuar korrupsionin, do të pengohet nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj”, thuhet tutje.

Kjo thirrje ka ngjallur interesim të madhe menjëherë te një numër i madh i njerëzve, të cilët po e konfirmojnë pjesëmarrjen.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe analistë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Ndryshe pas akuzave të Blakajt ka reaguar edhe kryeprokurori Lumezi.

Ai e ka quajtur prokurorin e dorëhequr si joprofesional duke i kërkuar të vije në Kosovë, e të bëjë këto akuza.

Reagim ka pasur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Kryeparlamentari ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për veteranë dhe prokurorë mashtrues.

Kurse më i ashpër ka qenë kryeministri Haradinaj. Ai e ka quajtuar Elez Blakajn “hajn dhe pishpirik”. /Lajmi.net/