Lajme

Tarifa të reja, zbritet çmimi i rrymës!

By FerizajPress

February 19, 2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar të vitit 2018.

Sipas këtij raporti, inflacioni në muajin janar ishte me rënie për -0.2 për qind.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për tarifat energjisë elektrike po jep efekt në indeksin e çmimeve të konsumit, pasi rryma është liruar nga këto tarifa.

“Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës të datës 31 mars 2017 është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj”, thuhet në raport.

Megjithatë, çmimet u rritën për 0.2 për qind në janar 2018 në raport me dhjetorin e 2017.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.2% në muajin janar 2018, krahasuar me muajin dhjetor 2017”, shpjegon ASK-ja.

Sipas Agjencisë së Statistikave pemët dhe perimet, por edhe disa nga gjërat tjera ndikuan në rritje të çmimeve.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet pemë (1.5%); perime (10.2%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (2.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (0.6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit“, thuhet në raport.

Por rryma dhe produktet e qumështit ishin më të lira në janar.

“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-1.2%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.6%); shërbime për transport (-3.1%)-(rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim prej (-0.3%) në indeksin e harmonizuar tç çmimeve të konsumit“, tregon ASK-ja.

Por janari i këtij viti ishte për 0,2 për qind më i lirë në raport me çmimet në janar të 2017-ës.

ASK-ja shpjegon rënien e çmimeve mesatare në janar.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet: qumësht, djath dhe vezë (-3.8%); perime (-5.3%); sheqer dhe ëmbëlsira (-6.4%); rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-8.7%)-(rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin janar 2018 për (-15.5%), krahasuar me tarifat dimërore të muajit janar të vitit 2017)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Më të lira në janar 2018 se në janarin e vitit të kaluar ishin edhe “pajisjet shtëpiake (-2.5%); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.8%) – me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.1%) në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit”.

Tutje ASK thotë se ngritje e çmimeve të konsumit mes dy janarëve vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra 3.7 për qind, mish 0.8 për qind, pemë 11.7 për qind kafe, çaj dhe kakao 5.7 për qind, duhan 3.7 për qind, shërbime hoteliere 1.8 për qind- me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9 për qind në indeksin e tërësishëm.

Edhe në dhjetor ASK-ja konstatoi rënie të çmimit të energjisë.