Lajme

Takohen përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës, pjesëmarrës edhe VV!

By FerizajPress

April 23, 2016

Dita e premte ka qenë shumë e ngarkuar për të gjitha partitë në vend, e sidomos për ato opozitare. Përpos që kishte një takim ndërmjet tre liderëve të partive opozitare, ndërkohë po këtë ditë ishte zhvilluar edhe një takim ndërmjet përfaqësuesve të opozitës, me ata të partive në pushtet. Gazeta Blic ka marrë vesh se me ndërmjetësimin e pjesëtarit të shoqërisë civile, Naim Rashiti është zhvilluar ky takim.

“Në takim është biseduar për situatën aktuale dhe për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme. Edhe pse nuk ka pasur ndonjë dakordim, pjesëmarrësit në këtë takim i kanë paraqitur argumentet e tyre për dalje nga kriza”, ka theksuar ky burim i Gazetës Blic.

Merret vesh se në takim ka qenë Ardian Gjini dhe Blerim Kuçi nga AAK, Ilir Deda nga Vetëvendosje, Valdete Bajrami e Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, si dhe Armend Zemaj nga LDK. Mësohet se përfaqësuesit e PDK-së për shkak të angazhimeve të shumta për zgjedhjet e brendshme partiake, nuk kanë mundur të jenë prezent në  këtë takim.

Takimin e djeshëm e ka konfirmuar edhe deputeti i Nismës për Kosovën Enver Hoti. Ai ka thënë për Gazetën Blic se në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike. “Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë shumë të qartë, se zgjidhja e vetme për dalje nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, dhe kemi insistuar që ato duhet të mbahen deri në vjeshtë”, ka thënë Hoti.

I pyetur se kush e ka organizuar një takim të tillë, ajo ka thënë se “një organizatë e huaj e ka thirrur një takim të tillë”.

Ndërkaq, i pyetur nga Gazeta Blic, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda rreth këtij takimi, ai ka thënë se ky nuk ka qenë një takim pozitë- opozitë.

“Gabim është informacioni. Ka qenë tryezë e rregullt e Këshillit për Qeverisje Inkluzive (Council for Inclusive Governance) dhe MPJ e Zvicrës. Këto tryeza mbahen që 5 vite”, ka thënë Deda.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE || Takohen edhe njëherë liderët e opozitës: Ja çka u vendos përfundimisht!

Ndryshe, takime të tilla po ndodhin tash e sa kohë. Gazeta Blic ka marrë vesh se edhe në takimet e mëhershme ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha partive pozitë dhe opozitë, përfshirë edhe Vetëvendosjen, ka pasur diskutime, për dalje nga situata politike. Mësohet se opozita ka kërkuar zgjedhje të reja, derisa partitë në pushtet kanë kërkuar dialog politik.

“Opozita ka theksuar që në asnjë negociatë nuk do të ulen me pushtetin, pos për caktimin e datës së zgjedhjeve”, ka treguar një burim i Gazetës Blic.

Ndryshe, opozita e bashkuar e përbërë nga VV, AAK e Nisma, është ndarë përfundimisht. Lajmin e ka konfirmuar vetë lideri i VV-së, Visar Ymeri i cili ka thënë se më nuk ka hapësirë për veprime të mëtejme të përbashkëta opozitare./ Gazeta Blic