Ferizaj

Takimi Reçica-Arta Dade: Ringjallja e orekseve Serbe për të destabilizuar rajonin duhet të na gjejë ne të përgatitur me një përgjigje të përbashkët

By FerizajPress

February 11, 2017

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Arta Dade, priti në takim delegacionin e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit të Kosovës.

Delegacioni kosovar, që ndodhet për vizitë në Tiranë me ftesë të znj. Dade, kryesohej nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, z. Elmi Reçica.

Gjatë takimit, znj. Dade dhe z. Reçica nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy shteteve si edhe domosdoshmërinë e intensifikimit të tyre. Z. Reçica e falënderoi znj. Dade për ftesën si edhe për pritjen e ngrohtë në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas takimit, dy kryetarët e komisioneve dhanë një prononcim për mediat:

Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme së Kosovës, z. Elmi Reçica:

Falënderoi znj. Dade për ftesën dhe mikpritjen. Të gjitha proceset që janë duke u zhvilluar në Kosovë dhe në rajon dhe më gjerë është një domosdoshmëri që ti intensifikojmë bashkëpunimin tonë.

Në morëm një mbështetje të fuqishme dhe nga znj. Dade, por edhe anëtarët e tjerë të komisionit,i cili ka personalitete me një përvojë edhe politike edhe diplomatike.

Ne kemi nevojë që të koordinohemi. Ringjalla e orekseve Serbe për të destabilizuar rajonin duhet të na gjeje ne te përgatitur me një përgjigje të përbashkët. Në funksion të saj është edhe deklarata e përbashkët , që ne do të na duhej në të gjitha nismat edhe rajonale, por edhe më gjerë të jemi prezent.

Do të duhet që ato që janë pengesa të cilat Serbia përkundër marrëveshjeve, përkundër deklarimeve formale është duke i bërë si pengesa drejt anëtarësimit të Kosovës në këto mekanizma që bashkërisht me Shqipërinë dhe me miq tanë të përbashkët ti koordinojmë dhe të marrim mbështetjen e tyre. Kontaktet tona duhet të jene më intensive të zbresin në nivele me konkrete. Ramë dakord që të ndikojmë edhe në institucionet e tjera që edhe qeveria dhe institucionet përkatëse të jenë më bashkëpunues në të gjithë këto projekte.

 

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm znj. Arta Dade:

Është një kënaqësi e veçantë që të presim delegacionin për Politikë të Jashtme të Kosovës. Komisioni ndihet i nderuar që sot ne kemi këtë ngjarje të rëndësishme në drejtimin e konsolidimit të marrëdhënieve midis dy Kuvendeve. Diskutuam çështje të rëndësishme për situatën aktuale, për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Gjithashtu për mënyrën se si mendohet që janë tejkaluar disa momente delikate që do të rrezikonin stabilitetin në rajon.

Kemi përshëndetur veprimin e menjëhershëm të autoriteteve të Kosovës në adresimin e çështjes së trenit provokativ nga Serbia. Gjithashtu me shqetësim kemi ndjekur ndalim e Ramush Haradinajt, në Francë dhe shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

Gjithashtu kërkojmë që me rifillimin e dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë palët tu përmbahen detyrimeve që kanë përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe do të kërkonim dhe do të vazhdojmë të punojmë për të mbështetur Kosovën që të jetë pjesë e të gjithë strukturave parlamentare, jo vetëm rajonale që tashmë është një realitet sikurse është rasti i Asamblesë Parlamentare të Nismës për Europën Juglindore, por edhe në strukturat e tjera. Gjë e cila parashihet edhe nga marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë dhe Serbia nuk duhet të ndalojë pjesëmarrjen e Kosovën në nisma të rëndësishme rajonale.

Ne dëshirojmë një bashkëpunim edhe më të ngushtë, jo vetëm përmes Komisionit për Politikën e Jashtme, por edhe për komisionet e tjera dhe do të dalim me një deklaratë të përbashkët në fund të ditës nga të gjitha takimet që Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kosovës ka bërë sot me personalitete të tjera të parlamentit.

Shpresojmë në bashkëpunime të mëtejshme edhe në situata të reja të krijuara, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Duke qenë se shqiptarët shohin nga e ardhmja integruese drejt strukturave Euro-Atlantike kudo ku janë në Kosovë, Serbi Jugore, në Preshevë, në Malin e Zi edhe në Maqedoni.