Lajme

“Syri i popullit”, nga një organizatë fantome në kërcënuese të sigurisë

By FerizajPress

May 26, 2017

E njohur në opinion për marrjen e përgjegjësisë për tentim-vrasjen e ish-zyrtarit të lartë të Kosovës në kohën e komunizmit, Azem Vllasi, kjo organizatë, sipas të dhënave zyrtare, posedonte edhe një listë me emrat e personave që i kishte vënë në shënjestër për likuidim, ku përfshihen edhe emrat e disa prej liderëve kryesorë politikë të Kosovës.

Policia e Kosovës, ditën e enjte, ka arrestuar 4 persona të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Valdet Hoxha, zëvendësministër i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës në largim, thotë për Radion Evropa e Lirë se mekanizmat e sigurisë në Republikën e Kosovës dhe njësitet e veçanta brenda këtyre mekanizmave janë duke e vëzhguar në vazhdimsi situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe individët apo organizatat me sfond kriminal, që kërcënojnë sigurinë e vendit.

Personat e arrestuar ditën e enjte, siç thotë ai, dyshohet të jenë pjesëtarë të organizatës “Syri i popullit”.

“Natyrisht që organizatat e vetëshpallura, siç është edhe ‘Syri i popullit’ dhe vetë fakti i arrestimit të disa qytetarëve, të cilët dyshohen se mund të jenë pjesëtarë të asaj organizate të vetëquajtur, konsistojnë në atë që Policia e Kosovës ka pasur nën monitorim… Dhe, natyrisht që monitoron çdo grup që mund ta cenojë rendin juridik dhe kushtetues të vendit”, thotë Hoxha.

Arrestimet kanë ndodhur në kohën kur Kosova gjendet në prag të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen me 11 qershor. Të kërcënuar nga organizata e quajtur “Syri i popullit” janë edhe disa nga politikanët që janë në krye apo pjesë e listave zgjedhore.

Megjithatë, Hoxha thotë se arrestimet nuk kanë të bëjnë fare me fillimin e fushatës zgjedhore të subjekteve politike.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje. Hetimet e këtij grupi kanë vazhduar që nga koha kur edhe ishin publike kërcënimet ndaj zyrtarëve publikë të vendit. Natyrisht, koha është koincidencë e fushatës parazgjedhore, sepse në momentin kur kanë filluar hetimet, nuk kanë qenë të planifikuara zgjedhjet dhe nuk ka se si të ndërlidhen këto dy çështje në mes vete