Kryetari i Komunës së Ferizajt e mbajti sot konferencën përmbyllëse me gazetarë, duke e quajtur vitin 2016 si një vit të suksesshëm dhe duke falënderuar qytetarët, forcat politike, organizatat e ndryshme dhe mediet për kontribute në këtë sukses.
Në përfundim të vitit kalendarik 2016, kryetari Muharrem Svarqa, veçoi realizimin e pjesës më të madhe të planit vjetor të punës dhe planit investiv, duke konstatuar se rreth 99 për qind e mjeteve nga grantet qeveritare janë realizuar me kohë dhe sipas procedurave të prokurimit.
Drejtoria e Infrastrukturës, tha ai, ka shpenzuar mbi 8 milionë euro investime kapitale, përfshirë rrugë, ujësjellës, kanalizime dhe objekte të interesit publik. Gjithashtu ai përmendi investimet e rëndësishme të Qeverisë së Kosovës në Komunën e Ferizajt, që janë realizuar, ose kanë filluar së realizuari, siç është unaza e jashtme e komunës, objekti i Institutit të shëndetësisë publike etj.
Në lëmin e shëndetësisë janë ndërtuar ambulanca në Komogllavë e në Pleshinë, si dhe janë përmirësuar shërbimet shëndetësore.
Në arsim është shënuar një ngritje e lehtë e suksesit dhe ulje e numrit të mungesave, ndërsa janë rritur hapësirat shkollore. Ka filluar shkolla e re në Komogllavë dhe një çerdhe e re në Greme.
Rreth investimeve për zhvillimin ekonomik, kryetari i Ferizajt veçoi ndërtimin e Qendrës së përpunimit të drurit në Greme, e cila është pajisur me teknologji moderne, që mundëson përmirësimin e cilësisë së industrisë së drurit, si industria më e njohur në Ferizaj, pastaj rritjen e numrit të bizneseve të regjistruara, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në mbi 11 mijë. Dhënia e hapësirave të reja nga Komuna, për ndërtimin dhe zgjerimin e kapaciteteve biznesore, u vlerësua gjithashtu si një mbështetje e fuqishme zhvillimore.
Investimet në bujqësi, u theksuan nga kryetari Svarqa si një levë e zhvillimit ekonomik, të cilat veçanërisht gjatë këtij viti kanë qenë të konsiderueshme. Janë rreth 1 mijë fermerë që kanë përfituar nga subvencionet, por sidomos subvencionimi i kamatave bankare për kreditë e fermerëve, ka qenë risi shumë e rëndësishme. Për këtë qëllim sivjet janë vënë në qarkullim rreth 600 mijë euro, ndërsa më tutje do të futen në qarkullim edhe 5 milionë euro për këtë qëllim.
Kryetari i Ferizajt pastaj veçoi investimet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për ndërtimin e pjerrinave për personat me nevojat e veçanta, hapjen e 90 kilometrave rrugë të reja për nevojat e banorëve, ndriçimin publik në mbi 10 kilometra rrugë etj. Nga ana tjetër, sipas kryetarit të Ferizajt, administrata komunale ka bërë përparime në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, duke përmbushur shumicën dërrmuese dhe me kohë të kërkesave të qytetarëve, ashtu siç ka bërë edhe Drejtoria e
Gjeodezisë dhe e Kadastrit. Ndërsa nga Drejtoria e Urbanizmit veçoi procedimin dhe diskutimin e Planit zhvillimor komunal dhe të hartave zonale, si dy dokumentet më të rëndësishme urbanistike për Ferizajn.
Kryetari Svarqa lavdëroi Drejtorinë e Financave për performancë jashtëzakonisht të mirë, sidomos në përmirësimin e shkallës së të hyrave vetjake të Komunës, të cilat sivjet kanë arritur rreth 90 për qind të planifikimit, si inkasimi më i mirë deri tani. Ndërkohë
Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka arritur që ta bëjë Ferizajn qendër të zhvillimeve kulturore e sportive jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë, me anë të festivaleve të shumta, si dhe me pjesëmarrjen e sportistëve ferizjas në gara të rëndësishme kombëtare e sidomos ndërkombëtare.
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, falënderoi për bashkëpunim të suksesshëm gjatë këtij viti dhe i ftoi për partneritet të mëtejshëm të gjithë qytetarët, forcat politike, organizatat e ndryshme dhe mediet.