Ferizaj

Svarqa premton investime të shumta në Ferizaj gjatë vitit 2017

By FerizajPress

January 23, 2017

Në vitin e fundit të mandatit si kryetar komune, Muharrem Svarqa synon të realizoj projekte të shumta, që kryesisht kanë të bëjnë me infrastrukturë.

Duke përmendur investimet që do të bëhen këtë vit në komunën e Ferizajt, kryetari Svarqa përmendi fillimin e punimeve të Spitalit Rajonal të Ferizajt,  ndërtimin e objektit të shkollës ‘’Dr. Shaban Hashani’’, e të tjera. Si projekt madhor, që sipas Svarqës, do të ndodh këtë vit, është futja e hekurudhës nën tokë, premtim ky që e pati dhënë gjatë fushatës elektorale.

 “Ne po shpresojmë që edhe hekurudha përfundimisht do ta ketë dritën e gjelbërt përmes studimit të fizibilitetit, sepse kemi një konfirmim që BERZH-i ka dhënë rekomandimet e veta për fillimin e studimit të fizibilitetit për segmentin e hekurudhës që kalon nëpër qytet. Ne sa i takon qytetit do të realizojmë projektin nga kodi buxhetor asfaltimi i rrugicave nëpër qytet dhe do të synojmë që të gjitha rrugët të asfaltohen, por poashtu si njëri nga projektet më madhore do të jetë rregullimi i qendrës së qytetit, nga rruga e shkollës ‘’Tefik Çanga’’ deri tek hoteli dhe nga objektet fetare deri tek rrethrrotullimi’’, theksoi kryetari Svarqa.

Svarqa theksoi se gjatë vitit 2017 nuk do të mungojnë as investimet nga investitorët e huaj.

‘’Investime të tjera që do të realizohen janë përfundimi i Institutit të Shëndetit Publik dhe fillimin e ndërtimit të Spitalit Rajonal, kemi interesim për ndërtimin një spitali privat nga investitorë të Austrisë, po ashtu do të punojmë edhe për projekte të tjera të rëndësishme, siç është projekti për zgjidhjen e problemit të vendosjes së Stacionit të Autobusëve dhe fillimin e realizimit të idesë për trafikun urban, po ashtu edhe trajtimine ujërave të zeza për të kaluar më vonë edhe në trajtimin mbeturinave, po edhe në zgjidhjen përmes projekteve alternative për ngrohotren e qytetit”,tha Svarqa.

Ndërsa sa i përket investimeve nëpër fshatra, kreu i qeverisë lokale, pohoi se këtë vit përfundimisht do t’i jepet fund çështjes së ujit të pijes dhe se do të fillojnë së realizuari projekte të asfaltimit të rrugëve e të rrugicave si në fshatin Varosh, Doganaj, Nikadin, Slivovë, Papaz, Pojatë, Nerodime. Po ashtu, tha se do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës me 4 korsi nga Prelezi deri në Fshatin e Vjetër, projekti që lidh fshatin Sojevë, Mirosalë, Pojatë për të përfunduar në Softaj. Si projekt tjetër që pritet të nis këtë vit, Svarqa theksoi atë nga fshati Rahovicë në drejtim të Kishnapoles që lidh segmentin e rrugës Gadime-Gjilan, po ashtu rruga që shpie në drejtim të fshatit Pleshinë, në Brezovicë, si dhe rrugë tjera që lidhin fshatin Papaz me ato të Prelezit./ TELEVIZIONI TEMA /