Ferizaj

Svarqa: Bashkimi i të gjithëve kundër LDK-së ndikoi në rezultat

By FerizajPress

November 21, 2017

Ferizaj.21.11.2017. Bashkimi i të gjithëve kundër LDK-së, është faktori kryesor që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve të fundit në Ferizaj. Kështu mendon ish-kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, pas një analize më të thellë që i bëri humbjes që pësoi në këtë balotazh.

“Mendoj që rezultati i prodhuar është njëfarë lloj mocioni i votëbesimit numër 2 i skenarit të Kuvendit të Kosovës. Ka qenë e pamundshme që të përballohet një fuqi politike mes këtyre aleancave që janë krijuar në një imitim të PAN-it, një bashkdyzim edhe i atyre që për katër vite kanë ngrënë bukën e komunës. Qytetarët, përkundër asaj që unë jam munduar që t’ua bëj të njohura këto, ata kanë qenë pranues ndaj politikave të tyre dhe e kanë pranuar alternativën që tash do të qeverisë. Unë shpresoj që qytetarët të dalin fitues, sepse para kësaj fati i individit dhe i një subjekti politik është më pak i rëndësishëm”, tha Svarqa.

Me këtë rast, kryetari në largim i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa, tha se puna e tij dhe e LDK-së është që ta konsolidojnë partinë dhe gjatë kohës sa janë në opozitë të punojmë me struktura, nëndegë e me figura të reja në këtë subjekt politik. E, për humbjen që pësoi, ai më shumë fajëson vetën sesa strukturat e partisë.

“Aty këtu ka pasur ndonjë përjashtim që dikush ndoshta ka menduar që fitohet më lehtë dhe puna ka mundur të neglizhohet, por jo me ndonjë prapavijë për një luftë të brendshme politike. Megjithatë unë mendoj që kjo do të jetë një këndellje dhe ne do të përmirësohemi sepse edhe unë personalisht nuk mendoj që kam qenë i pagabueshëm, por fakti që je në pushtet shpeshherë nuk të krijon mundësi të merresh me partinë, prandaj mendoj që një dozë të fajit mund ta kem unë. Jam munduar të punoj me ndërgjegje dhe kam besu që të gjithë njerëzit e dinë këtë fakt”, tha Muharrem Svarqa.

Svarqa nuk e la pa e përmendur biletën që kreu i PDK-së Kadri Veseli, ia kishte përmendur në një tubim elektoral. Ai tha se bileta për Gjermani nuk i duhet, sepse do të vazhdojë punën në vendlindje.

“Është e lehtë të menaxhohet fitorja, por është shumë e vështirë të menaxhohet humbja dhe humbjen duhet menaxhuar me vullnet dhe duke u ndier në pozitë të barabartë me ta. Unë do ta ndaj fatin tim me LDK- në, fatin e veprimtarive të kësaj partie dhe me qytetarët. Synimet e mia janë që unë ta përfundoj jetën time këtu në Ferizaj dhe nuk kam asnjë ambicie që t’i shfrytëzoj biletat e depërtimit që na nxjerr dikush në tubime publike, madje tubime ku thirret e tërë Kosova. Unë mendoj se ato politika kanë përfunduar dhe nuk do të kthehen më në Kosovë. Unë për asnjë çmim nuk do t’ia kisha nxjerr biletën asnjë qytetari që ta lëshoj Kosovën dhe për këtë arsye unë fatin tim do ta ndajë bashkë me qytetarin e këtushëm”, tha Svarqa, për Televizionin Tema.

Derisa Svarqa po e pret dritën jeshile të Komisionit Qendror Zgjedhor, për t’ia dorëzuar mandatin qeverisës kryetarit të sapozgjedhur Agim Aliut, ai këto ditë po merret me punët që ka nisur gjatë kohës sa udhëhoqi me Ferizajn.