Lajme

“Supermenët” e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

By FerizajPress

July 19, 2018

Mesatarja e numrit të publikimeve për kandidatin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, ndërsa sipas një studimi të botuar në revistë ndërkombëtare, del se në Norvegji në fushën e njëjtë ka 0.96 publikime shkencore në vit për profesor.

Nga kjo situatë mund të nxirren vetëm dy përfundime:

  1. Ose Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i ka tejkaluar pesë-fish performancat akademike norvegjeze për sa i përket publikimeve shkencore;
  1. Ose publikimet shkencore të FIM nuk janë në revista me cilësi te pranueshme ndërkombëtare.

Ndonëse publikimet e këtyre kandidatëve i plotësojnë kriteret minimale sasiore sipas rregullativave në fuqi, revistat ku janë botuar ato lënë hapësirë për dyshim.

Shumica e këtyre publikimeve janë bërë në vetëm tri revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor.

Ne i bëjmë thirrje Senatit që pavarësisht përmbushjes formale të kritereve, ta zbatojë detyrën e tij statutare, pra të sigurohet se cilësia është mbrojtur duke zbatuar standardet e pranuara botërisht.