Dy persona të Komunitetit LGBT kanë qenë viktima të një sulmi që ka ndodhur të premten në mbrëmje në Ferizaj. Si pasojë e kësaj njëri nga ata ka pësuar lëndime në trup e fytyrë, me ç ‘rast ka kërkuar ndërhyrje mjekësore. Sulmuesit, katër burra të cilët mësohet se nuk janë njohur me viktimat, janë arrestuar nga policia, transmeton Gazeta Express.
Incidenti ka filluar me ngacmim verbal pastaj edhe fizik ndaj dy personave të Komunitetit LGBT në vendin e tyre të punës, njofton Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore- CSGD.
Për këtë, CSGD thërret institucionet të marrin hapat e nevojshme ligjore dhe t’i japin sulmuesve dënimin e merituar e jo të mbetet edhe një rast i pazgjidhur. Gjithashtu, shprehim keqardhje që këto sulme konfirmojnë nivelin e lartë të homofobisë dhe mungesën e tolerancës në shoqërinë tonë.
“I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore të ndërmarrin masat e nevojshme në vetëdijesimin e popullsisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të parandalohen rastet e tilla”, thuhet në komunikatën e CSGD, transmeton Gazeta Express.