Shëndetësi

Studimi shkencor: Sa më të dhunshëm fëmijët, aq më shumë probleme shëndetësore në të ardhmen

By FerizajPress

January 18, 2018

Një studim i ri nga Universiteti i Virginias ka zbuluar se mënyra se si fëmijët i përballojnë konfliktet që ata ndeshin gjatë përditshmërisë së tyre, mund të ketë një impakt afatgjatë në shëndetin e tyre. Të dhënat nga studimi tregojnë se fëmijët që kanë konflikte konstante të dhunshme me moshatarët e tyre kanë më shumë mundësi të vuajnë nga një sërë problemesh shëndetësore kur të rriten, në të cilat përfshihen plakja e parakohshme dhe artriti.

Studimi me emrin “ Trupi mban mend” vëzhgoi gjakun e disa të rinjve për të matur nivelet e një proteine të quajtur interleukin-6, e cila është e lidhur me disa sëmundje ku përfshihet dhe kanceri, tumori, artriti dhe shumë probleme të tjera shëndetësore. Ata zbuluan se të rinjtë që kishin patur një fëmijëri të mbushur me konflikte sociale dhe i kishin zgjidhur ato me gjaknxehtësi dhe dhunë kishin një nivel shumë më të lartë të kësaj proteine. Është e lehtë për prindërit të mendojnë se problemet e fëmijëve në adoleshencë janë të përkohshme dhe nuk kanë rëndësi por ky studim tregon të kundërtën pasi këto probleme do të lënë pasojat e tyre në të ardhmen në shëndetin e fëmijëve. Dhe mënyra se si ata i zgjidhin këto probleme ka një impakt të madh tek ta. Për të zhvilluar këtë studim, shkencëtarët folën me 127 gjimnazistë në vitin 1988 dhe i pyetën se si ata i menaxhonin konfliktet me bashkëmoshatarët e tyre. Ata gjithashtu i vëzhguan ata për të parë mënyrën se si ata ndërvepronin me shokët e tyre. Skuadra e shkencëtarëve vazhdoi të ndiqte studentët përgjatë viteve derisa ata mbushën 28 vjeç. Rezultatet nga analizat e tyre të gjakut treguan se studentët që i zgjidhnin konfliktet me dhunë e gjaknxehtësi kishin nivele më të larta të proteinës interleukin-6 se studentët që i zgjidhnin problemet me qetësi ose u shmangeshin atyre. Sipas studimit prindërit nuk duhet të anashkalojnë problemet që fëmijët kanë me bashkëmoshatarët e tyre. Pasi edhe pse mund të duken si probleme të vogla, ato do të ndikojnë shumë në shëndetin e fëmijëve, ndoshta edhe për të gjithë pjesën tjetër të jetës së tyre/ pernenat.al