Lajme

Statuti i Asociacionit ende s’ka nisur të hartohet

By FerizajPress

September 23, 2016

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ky ekip ende nuk ka filluar punën, porse ekipi menaxhues është kompletuar me dy anëtarët e rinj.

“Në këtë kohë vetëm janë emëruar dy anëtarë të rinj të ekipit menaxhues, i cili ekziston që nga viti 2013. Ky ekip duhet të koordinohet me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, OSBE-në dhe me Bashkimin Evropian në lidhje me përpilimin e draftit të parë të statutit. Ky proces ende nuk ka filluar”, ka thënë Gecaj.

Por, ende nuk dihet se kur do të fillojë punën ky ekip. Zëvendësministri Gecaj thekson se ende nuk kanë datë të caktuar.

“Nuk kemi ndonjë datë të caktuar”, është shprehur ai. Ndërsa, në anën tjetër krerët e Listës Serbe kanë kërkuar që sa më shpejt të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, pasi në këtë mënyrë më mirë do të mbrohen të drejtat e komunitetit që ai përfaqëson.

“Për serbët është shumë i rëndësishëm formimi i Asociacionit, pasi përmes tij do të mbrohen të drejtat e këtij komuniteti”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, i cili edhe ka numëruar disa incidente që kanë ndodhur në Kosovë ndaj serbëve. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i jep të drejta të njëjta të gjithë qytetarëve të saj, por ndonjëherë këto të drejta nuk respektohen.

Ai ka përmendur edhe depërtimin e Marko Gjuriqit në mbrëmjen e së mërkurës nga Graçanica, duke e vlerësuar si jo të drejtë.

“Këto janë disa incidente që kanë ndodhur kohët e fundit dhe e kam një pyetje: A është Kushtetuta e Kosovës akt me të cilin garantohen të drejtat e njeriut? Sigurisht se Kushtetuta e Kosovës si akt më i lartë i një shoqërie, ku janë të inkorporuara dispozitat, konventat evropiane për të drejtat e njeriut dhe e cila paraqet një shoqëri të zhvilluar duhet t’u garantojë qytetarëve serbë të drejtat elementare”, është shprehur kreu i Listës Serbe.

Madje, Simiq ka kërkuar edhe ndihmën dhe angazhimin më të madh të komunitetit ndërkombëtar për t’i garantuar të drejtat e njeriut. Javë më parë ministrja për Dialog, Edita Tahiri, kishte kërcënuar me shkarkim të këtij ekipi në qoftë se nuk punon sipas ligjeve të Kosovës, sepse është i krijuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Porosia ime për këtë grup është që është mirë ta dinë se është një mekanizëm i krijuar nga shteti i Kosovës dhe duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës. Nëse do të lejohen të manipulohen përsëri nga Serbia dhe ata e lejojnë këtë manipulim, ka mundësi që i shkarkojmë”, kishte thënë Tahiri.