Ferizaj

Spitali Rajonal i Ferizajt përballet me mungesë mjekësh

By FerizajPress

September 13, 2016

Ferizaj, 13 shtator – Tetë reparte, sa ka gjithsej Spitali rajonal i Ferizajt, po vazhdojnë të përballen me mungesë të stafit mjekësor.

Për plotësimin e këtyre vendeve të punës udhëheqësit e këtij spitali disa herë kishin kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) dhe nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo një kërkesë e tyre nuk ishte shqyrtuar asnjëherë, shkruan Koha Ditore.

Në Repartin e Emergjencës aktualisht punon vetëm një mjek i specializuar, ndërkaq do të duhet të punonin edhe 6 të tjerë, në mënyrë që shërbimet të kryhen 24 orë pa ndërprerë.

Gjithashtu edhe në Repartin e Urologjisë do të duhet të punonin edhe 6 mjekë të specializuar, në ortopedi 6 mjekë, në kirurgji, gjinekologji, pediatri dhe në hemodializë do të duhej të plotësohet stafi me nga 2-3 specialistë. Si pasojë e kësaj vetëm në Repartin e Emergjencës shpeshherë pacientët duhet të presin prej më shumë se një orë në radhë për ta marrë ndihmën e parë.