Spitali Rajonal i Ferizajt, gjatë së hënës, ka përcjellë për në Klinikën Infektive në Prishtinë dy raste të dyshuara për virusin COVID-19.
Të dy pacientët, një femër dhe një djalë, ishin në moshë të re.
Drejtori i Spitalit Rajonal në Ferizaj, Jeton Zeqiri, ka thënë për Kohën se vajza e moshës së re kishte punuar me një gjerman i cili javën e kaluar kishte udhëtuar për në Gjermani.
“Simptomat e vajzës ishin të ngjashme (me të koronavirusit), mirëpo deri në mbrëmje nuk dalin rezultatet. Po ashtu edhe një djalë i moshës së re si i dyshuar është përcjellë për në Prishtinë, megjithëse nuk ka pasur kontakte me njerëz të prekur me këtë virus, mirëpo simptomat i ka pasur të ngjashme, ndërkohë po i presim rezultatet”, ka thënë Zeqiri.
Pak më parë, nga autoritetet shëndetësore në vend u bë e ditur se numri i të prekurve me koronavirusin COVID-19 është rritur në 15.
Komuna e Ferizajt gjatë fundjavës ka dezinfektuar objektet e institucioneve dhe hapësirat publike, ndërkohë gjatë së hënës ka nis edhe dezinfektimin dhe pastrimin e rrugëve të qytetit.
“Pas dezinfektimit të hapësirave publike në Ferizaj, punonjësit e palodhshëm të KRM ‘Pastërtia’, përveç grumbullimit të mbeturinave, po lajnë e mirëmbajnë sheshet publike e akset kryesore rrugore si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit COVID-19 apo i njohur si CoronaVirus”, thuhet në njoftimin e komunës.