Lajme

LDK e para me 23.8% në sondazhin e KDI-së

By FerizajPress

September 13, 2018

Përmes një konference për media, përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë bërë sot prezantimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, kënaqshmërinë me punën e institucioneve publike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.

Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se 74% e të anketuarve mendojnë që gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar.

Subjekti politik i cili do të votohej më së shumti nga qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.8%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.4%, Lëvizja Vetëvendosje me 17.6% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.8% të të anketuarve. 4.1% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të votonin për Listën Serbe.

NISMA Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, del se sipas deklarimit të qytetarëve në këtë hulumtim, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Cakolli ka shtuar se 15.6% e të anketuarve kanë refuzuar të deklarojnë se për cilin subjekt do të votonin.

Në fund, të anketuarit që kanë deklaruar se për cilin subjekt politik do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, janë pyetur edhe lidhur me koalicionet e mundshme mes atij subjekti dhe subjekteve tjera.

Trendet e përgjithshme të këtyre rezultateve tregojnë se shumica e elektoratit në Kosovë preferon që subjektet e tyre të garojnë të vetme në zgjedhje.

Të ndarë sipas secilit subjekt politik, këto janë preferencat e votuesve lidhur me koalicionet, të paraqitura në përqindje kumulative:

Votuesit e LDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me VV-në (27%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PSD-në (60%); Votuesit e PDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PSD-në (25%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (86%); Votuesit e VV-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me LDK-në (33%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PDK-në (61%); Votuesit e PSD-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me AAK-në (13%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (65%); Votuesit e AAK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me Nismën (28%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me LDK-në (66%); Votuesit e Nismës Socialdemokrate do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PDK-në (16%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (70%);

Subjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në këtë tabelë.