Partitë politike opozitare nuk presin rezultate konkrete nga tryeza profesionale-shkencore që do të organizohet rreth demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht se do të jenë pjesëmarrëse për t’i shpalosur edhe aty argumentet se Kosova humb territor.
Kryesia e Kuvendit tashmë ka caktuar datën 3 gusht, në të cilën do të mbahet tryezë profesionale-shkencore lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, në bazë të kërkesës nga një numër i deputetëve, i prirë nga deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili është kundërshtar i madh i Marrëveshjes aktuale për Demarkacionin, shkruan sot gazeta “Zeri”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ata gjithmonë kanë qenë pro debatit, duke thënë se nuk është kundër kësaj tryeze.
“Sa i përket debatit të caktuar nga Kuvendi, ne në vazhdimësi kemi qenë të gatshëm për debat dhe që anëtarët e Komisionit Shtetëror, por edhe zyrtarë të tjerë, të ballafaqohen me të gjitha palët e interesuara. Do të ofrohen të gjitha dokumentet dhe materialet e nevojshme që të sqarohet kjo çështje dhe që më pas të vazhdohet me proceset”, është shprehur Mustafa, por duke përjashtuar mundësinë që të kërkohet rishikimi i marrëveshjes, meqë, sipas tij, nuk është bërë gabime në këtë proces.