Lajme

Skenari i tmerrshëm, paralajmërohet spastrimi etnik i Luginës së Preshevës

By FerizajPress

September 15, 2018

Një ish-zyrtar i administratës amerikane, nga koha e presidentit Obama, ka përkrahur këmbimin e territoreve që po negociohet mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, edhe pse e ka pranuar se zgjidhja e tillë do të shpjerë në “spastrim etnik” në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

Në një opinion të botuar në “The New York Times”, Charles A. Kupchan, ish-zyrtar i lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-së në vitet 2014-2017, ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të përkrahin propozimin e dy presidentëve, Aleksandër Vuçiqit të Serbisë dhe Hashim Thaçit të Kosovës, për këmbim territoresh, përcjell sot Koha Ditore.

Kupchan në shkrim e pranon se plani Vuçiq-Thaçi si një “moment kthese”, të cilin, edhe pse “moralisht ofendues” SHBA-ja dhe BE-ja “duhet ta mbështesin”.

“Presidenti Aleksandër Vuçiq i Serbisë dhe presidenti Hashim Thaçi i Kosovës duket se po punojnë në një propozim për t’u përfshirë në këmbim tokash që mund ta sjellë konfliktin e ndezur drejt fundit. Kosova veriore, e populluar kryesisht nga serbët etnikë dhe që kufizohet me Serbinë, do t’i kalonte Serbisë. Në këmbim, një copë ende e papërcaktuar e Luginës së Preshevës në Serbi, që është e populluar me shumicë shqiptare dhe kufizohet me Kosovën, do të bëhej pjesë e Kosovës”, shkruan Kupchan, duke pranuar se plani i tillë nënkupton edhe “këmbim popullatash” në nivel të madh.