Lajme

Skandali i radhës: Qeveria i jep licencë për terminal kompanisë së drejtuar nga djali i Isa Mustafës

By FerizajPress

April 03, 2016

Ministria e Infrastrukturës , në të njejtën kohë kur është licencuar “City Park”, ka pajisur me licencë për terminal të mallrave edhe kompaninë e drejtuar nga Arben Mustafa, djali i kryeministrit Mustafa.

Insajderi ka zbuluar se Qeveria Mustafa ka pajisur me licencë për biznesin e terminaleve kompaninë e drejtuar nga djali i kryeministrit Isa Mustafa. Kompania “INTEREUROPA KOSOVA L.L.C”, bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit është në pronësi të kompanisë sllovene “Intereuropa D.D”, dhe  Hazbi Hasanit.

Ndërsa Arben Mustafa dhe  Andrej Karl figurojnë si persona të autorizuar në këtë biznes.  Emri i kësaj kompanie figuron edhe në deklarimin e pasurisë së kryeministrit Mustafa. Kur kishte deklaruar pasurinë më 2010, në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, kishte shënuar se pesë përqind të aksioneve në këtë kompani i ka djali i tij.

Burim Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Transportit Tokësor, në Ministrinë e Infrastrukturës ka konfirmuar për Insajderin licencimin e kësaj kompanie.

“Terminali i mallrave “INTEREUROPA KOSOVA”L.L.C. Prishtine (viti i lëshimit 2016- afati i vlefshmërisë deri më 2021)”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Insajderi ka gati dy javë që ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës lidhur me licencimin e kësaj kompanie. Ministria nuk ka dhënë përgjigje se cilat kanë qenë kriteret që ka plotësuar kjo kompani për tu pajisur me licencë për terminal të mallrave. Ministri Lutfi Zharku ka refuzuar kërkesën e Insajderit për intervistë lidhur me çështjen e terminaleve.

Insajderi para disa ditësh i ka dërguar pyetje edhe Arben Mustafës. Zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se Arben Mustafa momentalisht gjendet jashtë vendit.

Autoritetet doganore ende nuk janë të njoftuar për pajisjen me këtë licencë të kësaj kompanie. “Dogana nuk ka informatë  nëse ka marrë licencë për  terminal”, ka thënë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës. Ka shtuar se kjo kompani operon që nga viti 2006 si zyre e brendshme e zhdoganimit që ka ndryshim prej operimit si terminal.

Kompania e drejtuar nga Arben Mustafa është licencuar në të njejtën kohë me kompaninë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut.

Insajderi ka zbuluar se ministri Zharku ka nënshkruar udhëzimin e ri administrativ për licencimin e terminaleve që ka kritere më të lehta. Ka shfuqizuar të vjetrin që ishte më rigoroz. Kur Ministria e Infrastrukurës, më 17 dhjetor  2015, kishte njoftuar për hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri administrativ për licencimin e terminaleve të mallrave kishte treguar edhe arsyen e ndërmarrjës së këtij vendimi.

Nëpërmjet një kumtese për media kishte treguar se ky udhëzim administrativ, i nënshkruar nga ministri Zharku, ka për qëllim krijimin  e lehtësive administrative, teknike dhe ligjore për operatorët ekonomik që ushtrojnë veprimtarinë e terminaleve të mallrave.

Njoftimi i Ministrisë shtonte se “ky udhëzim administrativ i krijon bizneseve që merren me terminale mundësi të qasjes së barabartë e jodiskriminuese dhe treg liberal në baza konkurrente”. Por ky pohim bie ndesh me deklarimin e ministrit Zharku, bërë para deputetëve më 24 shkurt të vitit 2015, që thoshte tregu i biznesit të terminaleve është liberal dhe konkurrues.