Editorial

S’KA KUSH NA BASHKON, E AS KUSH NA NDANË

By FerizajPress

October 20, 2016

Tashmë ky debat nëse mund ta cilësojmë si të tillë, për raportet Kosovë-Shqipëri, ka kaluar kufijtë e normales. Të asaj normales që rëndom lejohet edhe kur debatuesit janë të cytur e paguar, siç në këtë rast përbëjnë pjesa dërmuese e atyre që janë përfshirë. Duke qenë se gjendja ka arritur deri në këtë pikë, sa gjithkush po shkruan për këtë – pa pasur ide se për çka po flasin, dhe duke qenë i vetëdijshëm që opinion publik ka kthyer sytë nga Unë, e po presin prononcimin tim, më duhet të pranoj që ky presion publik ka qenë i pa përballueshëm, dhe në fund vendosa të jap mendimin tim për këtë çështje të pa rëndësishme, për njerëz të rëndësishëm.

Shkruan: Arbër Ibrahimi

Përpos kërkesave të shumta nga njerëzit e thjeshtë që edhe Unë të prononcohem çështjen në fjalë, në mesin e tyre, s’ka pak ditë, që në adresën time mbërriti edhe një letër nga hirësia e tij, presidenti i Kosovës. Ky, veç që më shpjegoi se si i kishte tepruar një letër nga ato katër që kishte dërguar në prokurori, m’u lut, sigurisht, në emër të qytetarëve të republikës që të jap një xhevap edhe unë. Dhe, si është ajo fjalia “keni kërkuar, lexojeni”: Kosova dhe Shqipëria, nuk janë pronë e juaja. Kuptojeni njëherë e mirë këtë gjë. Nëse për këtë pajtohemi, mund të fillojmë diskutimet në të tjera nivele, jo më pak të rëndësishme, por duke pasur për bazë gjithë herë atë që këto vende janë të shqiptarëve, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës, pra jo të “elitave” siç rëndom po pretendohet të paraqitet. Në të vërtetë, secili që mori mundin të shkruaj diçka për këtë relacion, kishin të drejtë në diçka që e thanë, dhe pa dyshim, gabuan në shumëçka tjetër. Nuk është se u bë hataja që z. Rama nuk e njohu zv. Ministrin e punëve të jashtme, Petrit Selimin. E para punës kjo ndodhë sepse kjo qeveri megalomane ka aq shumë ministra e zv. ministra sa që besoj e ka të vështirë edhe vet Kryeministri i Kosovës, e mos të flasim për atë të Shqipërisë. E dyta, Rama nuk e njohu Seilimin, ngaqë ky i fundit nuk kishte bërë ndonjëherë selfi me Ramën, por me Daçiçin dhe rrjedhimisht Seilimin e njeh Daçiçi, e jo Rama. Rama më tepër e njeh Bregoviçin e Andriçin se sa Selimin. Pra kjo është reciproke. “Mollë sherri” në mes të vendeve tona na u bë edhe sporti, respektivisht futbolli. Në pamë deklarata kontradiktore të Shako Hoxhës, ku në vitin 2012 thoshte se Kosova e Shqipëria duhet të kenë federatat e tyre, duke refuzuar deklarativisht (sepse aq kishte mundësi) kërkesën e klubit Prishtina në superligën Shqiptare. Më pas, para pak javësh, tha të kundërtën, varësisht nga interesat. Po ne nuk duhet të biem pre e njerëzve që në sfond kanë qëllime krejtësisht personale. I tillë ishte edhe qëllimi i klubit Prishtina në atë kohë kur bënte kërkesën. Ndërlidhej kryekëput me interesat e biznesmenit Remzi Ejupi, i cili si qëllim kishte futjen e Prishtinës në ligën e Shqipërisë dhe të bërit biznes me të, dhe jo se i bëhej vonë për bashkimin apo ngjashëm. Nëse do të përkrahej një Kosovë, apo një Shqipëri e ndarë, kjo do të ishte krejtësisht për arsye të idesë sime e cila është kundër centralizimit, rrjedhimisht kundër shteteve të mëdha, politikave centralizuese të cilat zakonshëm janë kundër interesave të popullit dhe gjithherë priren të jenë në shërbim të një numri të vogël njerëzish, apo për shkak që nuk e dua bashkimin e dy shteteve të kriminalizuara, dhe jo kundër një bashkimi të Shqiptarëve. Një shembull pro bashkimit është Italia e Veriut dhe ajo e Jugu! Më tepër ka arsye për të qenë e ndarë Italia e sotme, se sa trojet shqiptare, mirëpo ky është realiteti. Përveç dialekteve të ndryshme, Italia ka edhe histori tjetër që e bënë më pak të qëndrueshëm argumentin e bashkimit. Arsyet historike, ekonomike e sociale, janë më tepër në favorin tonë, se sa që kishte Italia dikur. Italia përpara se të bashkohej në vitin 1861, funksiononte si një grumbull shtetesh të vogla, gati qytet-shtet. Përkundër që një pjesë e Italisë së sotme ishte nën okupim, nuk kishte ndonjë entuziazëm kushedi çfarë për t’u bashkuar. Garibaldi, Cavour e Mazzini, nuk është se kishin dashuri mes vete. Dallimet ishin evidente edhe sa i përket asaj se si e shihnin ata Italinë në të ardhmen, por dëshira për të pasur një Itali të bashkuar, përmbyste arsyet e tjera. Cavour, madje shkruante dhe fliste frëngjisht dhe disa të tjerë hasnin në vështirësi kur nuk mund të përdornin dialektin. Italishtja konsiderohej gati e huaj. Ata arritën të bëjnë diçka që nuk e kishin të gatuar, ata arritën të bashkonin edhe pjesë ku mes tyre kishte ujë, ndërsa ne, duke e pasur pengesa të tilla, s’jemi në gjendje të bashkojmë as diçka që tashmë është e bashkuar. Zërat kundër bashkimit të Italisë, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, madje fuqishëm. Ju pa dyshim mund të merrni si shembull edhe rastin e Gjermanisë dhe Austrisë, apo deri diku edhe Serbët e Malazezët, për të argumentuar të kundërtën dhe është plotësisht legjitime. Sinqerisht, nuk arrij t’i kuptoj as ata që dëshirojnë me ngulm në bashkimin klasik të Kosovës dhe Shqipërisë, e as ata që me ngulm e kërkojnë të kundërtën! Kosova dhe Shqipëria, tashmë janë të bashkuara, dhe kushdo që e sheh ndryshe s’është veçse injorant. Madje, kushdo që angazhohet për një diçka që është tashmë e bashkuar, s’është gjë tjetër veçse një përfitues ordiner. Lypset vetëm intensifikim i marrëdhënieve, që praktikisht janë të rralla, kaq. Në këtë mënyrë, do të ishim edhe të ndarë, edhe të bashkuar dhe kështu do të përmbushnim egon e të dy kategorive. Diskutimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, në këtë format, pa përfshirë pjesët e tjera, i bën vetëm dëm kauzës. Pjesa shqiptare në Malin e Zi, Maqedoni, Serbi dhe Greci, do të duhej të ishte temë diskutimi dhe jo Kosova e Shqipëria. Sot diskutimet idiote janë në shërbim të politikave ditore dhe si të tilla nuk arrijnë të penetrojnë në viset e okupuara shqiptare meqë shqiptarët atje nuk kanë të drejtë vote në Kosove e Shqipëri. Trojet shqiptare në përgjithësi , të bashkuara apo të ndara, do të duhej të jenë preokupim i një brezi tjetër. I një brezi të zhveshur prej ndjenjës së inferioritetit e superioritetit, për më tepër i një brezi të zhveshur nga petku i bajraktarllëkut e provincialitetit. Ne, nëse vërtet ia duam të mirën vendit tonë, të bashkuar apo të ndarë, duhet të punojmë në edukimin e këtij brezi, i cili pastaj do të zgjidhte përfundimisht dilemën tonë. Një ditë kur ky brez do të vije, nuk do të jetë as Edi Rama e as Hashim Thaçi për të shpërfaqur lidershipin provincial. Nuk do të jenë as Andi Bushati e Berat Buzhala, për të bërë mercenarin dhe pa dyshim as Maks Vello nuk do të ekzistoj. Madje as këta shqiptarë që ka sot Shqipëria e Kosova nuk do të jenë më. Një tjetër brez, një brez i edukuar e i arsimuar, një brez që nuk e vjedh vendin e tij, një brez që nuk do të ketë asgjë negative që kemi ne sot. E ky brez pastaj do të vendos nëse do të jetë i ndarë, apo i bashkuar. Deri atëherë, neve na mbetet të punojmë në ngritjen e një brezi të tillë. Krejt në fund, arsye për bashkim kombëtar, ka sa të duash, disa edhe i përmenda, po ka gjithashtu edhe një numër arsyetojnë të kundërtën, që do t’i përmend në një ditë me Diell. Mbi të gjitha, çështja e bashkimit kombëtar, apo vazhdimit të rrugëtimit në format e tanishme, më tepër do të jetë çështje gjeo-politike e gjeo-strategjike e dikujt tjetër, se sa ndjenjë kombëtare apo fontanë dëshirash shqiptare.