Sipas të dhënave zyrtare, gjithçka është bazuar te veprimet e para hetimore, nga të cilat është konkluduar se ka pasur një konflikt mes tyre. Kanë qenë deklarimet e të dyja palëve ato që kanë konfirmuar ngjarjen. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, Terolli ka insistuar se veprimi i tij ka qenë thjesht një gjest mirësjelljeje.
Ndërsa punonjësi i policisë është shprehur se fillimisht ai e ka keqkuptuar këtë veprim ndaj gruas së tij, dhe ka dashur ta sqarojë, por nuk e ka kontrolluar dot veten, raporton “Panorama”.
Ai ka sqaruar për grupin hetimor se i ka kërkuar edhe ndjesë të dëmtuarit dhe se në asnjë moment nuk ka përfituar nga detyra lidhur me këtë ngjarje. Hetimi ndaj kontrollorit të doganës ka nisur për “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
Dje reagoi edhe Policia, e cila përmes një deklarate zyrtare ka njoftuar pezullimin nga detyra të punonjësit. Ka qenë Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë, e cila pasditen e së enjtes pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor Gjergji Gjorgjin, me detyrë ndihmësspecialist kontrollor në SPKM Pustec.
“Pak ditë më parë ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T., për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka pasur një konflikt fizik mes punonjësit të Policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim”, bëri të ditur Policia.
Denoncimi është bërë nga familjarët e të dëmtuarit dhe në ambientet e spitalit kanë mbërritur specialistët e SHÇBA-së dhe Prokuroria për të nisur hetimin. Ndërkohë që nga mjeku ligjor masakrimi i tij është klasifikuar si plagosje e lehtë.
Hetimi ka zgjatur mbi dy javë dhe deri në momentin kur vetë i dëmtuari ka kërkuar ndihmë për të bërë publik rastin, nuk ishte marrë asnjë vendim konkret ndaj mbajtësit të uniformës shtetërore.
.