Lajme

Singapori njeh pavarësinë e Kosovës

By FerizajPress

December 01, 2016

Singapori është shteti më i ri që e njeh Kosovën.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Në letrën e njohjes, thuhet se “në përgjigje të letrës së Ministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj të datës 24 Qershor 2014 për Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Republika e Singaporit njeh Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike”.

Kosova është njohur nga 113 vende dhe Singapori është shteti i 4 nga ASEAN që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka popullsi prej 5.7 milionë banorësh. Singapori është një nga vendet më të zhvilluara në botë dhe nga GDP për kokë banori është vendi i 3-të në botë. Në të njëjtën kohë, Singapori ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të marrin vizë në misionet diplomatike dhe konsullore të Singaporit apo të aplikojn online për e-vizë për të hyrë në Singapor që nga sot.

Ministri Hoxhaj do të vizitojë Singaporin në janar 2017 për të thelluar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare me Singaporin.

Hoxhaj vetëm një ditë më herët paralajmëroi dy njohje në dhjetor, ndërsa sot erdhi njëra nga to.