Lajme

Si u mbyll pa shkuar në gjykatë lënda e djalit të një prokurori të kapur me drogë?

By FerizajPress

August 23, 2018

Gjetjet e ekipit të “Drejtësia në Kosovë” treguan se si mbrëmjen e 10 nëntorit të vitit 2014-të një patrullë policore kishte ndaluar një makinë në dalje të Prishtinës, saktësisht në vendin e njohur si “Rrethi i Flamurit”. Gjatë bastisjes Policia kishte zbuluar një sasi droge prej 1.85 gramë marihuanë te Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special Haki Gecaj dhe tek shoku i djalit të tij.

Detajet e hulumtimit treguan se si e ka arsyetuar prokurorja Arbëresha Shala – Raqa mbylljen e rastit të djalit të kolegut të saj prokuror, duke u thirrur në disa nene të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, edhe pasi Valdrin Gecaj e kishte pranuar se ishte zënë me drogë.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, edhe pse djali i prokurorit Haki Gecaj dhe shoku i tij e kishin pranuar fajësinë se kanë pasur drogë, prokurorja kishte vendosur që t`i lironte nga ndjekja penale.

Në aktvendimin për pushimin e rastit, sic ka gjetur Drejtësia në Kosovë, prokurorja Arbëresha Shala kishte shkruar se të dyshuarit janë penduar thellë për veprimin e tyre dhe kjo ishte njëra nga arsyet që prokurorja e kishte mbyllur rastin.

Prokurorja Shala nuk kishte pranuar të intervistohet nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë”. Por në një përgjigje të saj që emisioni ka pranuar përmes zëdhënësit të Prokurorisë së Shtetit, prokurorja Shala ishte kujdesur që të njëjtën përgjigje t`ia dërgonte (në CC) edhe kolegut të saj Haki Gecaj, djalit të të cilit ia kishte mbyllur rastin e drogës.

As prokurori Haki Gecaj nuk kishte pranuar që të intervistohej, madje ai kishte kërkuar nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” që të mos merreshin fare me rastin e djalit të tij me arsyetimin se ishte zënë me sasi të vogël të drogës dhe se kanë kaluar vite.

Kallëzimi Penal i Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës në nëntor të vitit 2014, kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës nën dyshimin se Valdrin Gecaj, djali i prokurorit të Prokurorisë Speciale Haki Gecaj, kishte kryer veprën penale të ”Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, ose analoge” nga neni 275 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, lënda ishte caktuar në kompetencë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, më saktësisht te prokurorja Arbëresha Shala- Raqa.

Babai i Valdrinit, Haki Gecaj, para vitit 2013 kishte punuar në këtë Prokurori, ku para rikonstruktimit kishte qenë edhe kryeprokuror komunal.

Hulumtimi dëshmoi se në dosjen e kësaj lënde që e kishte mbyllur prokurorja Shala-Raqa, shkruan se Valdrin Gecaj ishte kapur me 1.12 gram drogë dhe shokun e tij E.H. me 0.73 gram.

Siç shkruhet në dosjen e lëndës vet Valdrin Gecaj e kishte pranuar para Prokurorisë se kishte poseduar narkotikë natën kur ishte hasur nga Policia.

“…Kam qenë në shoqëri me shokët e mi, me E.H. dhe K.D., ka qenë vonë, pas mesnatës kur na ka kontrolluar policia…Unë jam i vetëdijshëm tash për veprimin që e kam kryer, por atëherë më është dukur interesant duke pa nga filmat, por tani ju betohem dhe ju premtoj se nga dita kur kam qenë në polici nuk e kam përdorë më”, kishte deklaruar para prokurores Arbëresha Shala – Raqa, djali i prokurorit special Haki Gecaj.

Siç tregoi hulumtimi, me një deklaratë të tillë kur fajësia është pranuar veprimet e prokurorisë janë të parashikuara.

Por, prokurorja Arbëresha Shala- Raqa e cila nuk e kishte as një dyshim se i pandehuri kishte kryer veprën penale kishte vendosur që ta mbyllë lëndën dhe mos ta qoj çështjen në gjykatë.

Arsyetimi i prokurores për mbylljen e rastit të djalit të prokurorit special është shumë interesant. Ja si shpjegohet në arsyetimin e prokurores arsyeja që lënda është mbyllur pa u dërguar në gjykatë.

“Në deklaratat e të pandehurve të dhëna në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku ata kanë pranuar se kanë poseduar sasinë e narkotikëve e cila ju është konfiskuar, ndërsa në mbrojtjen e tyre ata  kanë shprehur pendimin e thellë për veprimet e tyre, pra theksimeve që më asnjëherë nuk kanë poseduar apo përdorë narkotik, si dhe faktit- provës materiale se nuk ka të dhëna evidente policore, Prokurori i shtetit ju falë besimin atyre deklarimeve dhe në kuptim të dispozitës së nenit 231, ka zbatuar përjashtimin e respektimit të parimit të legalitetit. Pra edhe pse ekzistojnë kushtet ligjore për ndjekje të çështjes  penale në rastin konkret, Prokurori heq dorë nga ndjekja e filluar, sepse për të dy të pandehurit në tërësi plotësohen kushtet ligjore të dispozitës së nenit 231, paragrafi 1.2, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, e cila dispozitë është favorizuese për të pandehurit dhe në veçanti plotësohen tërësishëm kushtet vijuese të këtij përjashtimi ligjor që janë pendimi dhe ndalimi i pasojave të tjera të dëmshme”, thuhet në vendimin për mbylljen e rastit të prokurores Shala- Raqa.

Por, siç dëshmoi hulumtimi, në raste të ngjashme kolegët e prokurores Shala, të pandehurit i kishin dërguar para gjykatës që çështjen ta vendoste gjykata.

Hulumtimi i emisionit  “Drejtësia në Kosovë”, tregoi se Valdrin Gecaj, djali i prokurorit special, Haki Gecaj ishte zënë me drogë bashkë me shokun e tij nga Policia e Kosovës dhe i njëjti e kishte pranuar  këtë edhe para policisë dhe prokurores Arbëresha Shala- Raqa.

Përkundër faktit se i njëjti bashkë me shokun e tij e kishin pranuar se janë zënë me drogë, prokurorja Shala- Raqa, kishte vlerësuar se rasti është i rëndësisë së vogël dhe e kishte mbyllur rastin duke e hedhur poshtë kallëzimin penal të ushtruar nga Policia e Kosovës.

Shqipdon Fazliu nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka treguar se prokurorja e ka vlerësuar rastin në bazë të ligjit dhe se sasia e narkotikut ka qenë  vetëm 1.12 gramë, respektivisht te shoku i tij 0.73 gramë.

“Në rastin për të cilin ju keni dërguar pyetjet, bëhet fjalë për një person që është akuzuar për veprën penale të paraparë me nenin 275.2 të KPRK-së, apo posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, ose analoge. Dënimi i paraparë nga ky nen është me gjobë, ose me dënim me burgim deri në 1 vit. Pra ligjërisht, mund të zbatohet neni 231 apo 230 të KPP-së. Po ashtu nga shkresat e rastit rrjedh se personi në fjalë është penduar për kryerjen e kësaj vepre penale, se nuk ka të kaluar kriminale, është i martuar dhe një mori rrethanash të vlerësuara nga prokurorja e rastit. Sasia e narkotikut të gjetur te personi në fjalë është 1.12 gramë marijuanë, apo te i dyti në sasi prej 0.73 gramë”, ka thënë ai.

Prokurori i shtetit Shqipdon Fazliu në përgjigjet e tij dhënë për “Drejtësia në Kosovë, më tej ka thënë se janë 1,077 raste kur prokurorët kanë mbyllur hetimet, apo kanë hedhur kallëzimet penale duke u thirrur në ligjet në fuqi.

Mirëpo, siç tregoi hulumtimi, ai nuk ka qenë në gjendje të ofrojë të dhëna të sakta se sa raste nga këto 1,077 janë më drogë.

“Ju japim edhe disa statistika interesante që adresojnë pyetjen tuaj të fundit. Më 2017, Prokurori i Shtetit në nivel vendi ka përfunduar 1962 raste të tilla me 2457 persona, Më saktë akoma, me nenet 230, 231 dhe 232 apo hedhjet apo pushimet e kallëzimeve penale (edhe atëherë kur ata pranojë fajësinë sikur dëshironi t’i referoheni) kemi në nivel vendi, 1077 kallëzime të tilla të hedhura apo të pushuara dhe rasti të cilit jo po i referoheni është vetëm njëri nga 1077 të tillat. Pra, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjet e Fazliut, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Në anën tjetër, prokurori special Haki Gecaj, djali i të cilit ishte zënë me drogë dhe prokurorja Arbëresha Shala – Raqa që ia kishte mbyllur rastin, nuk kanë pranuar të intervistohen.  Madje Gecaj, siç dëshmoi “Drejtësia në Kosovë”, ai nuk ka treguar as kontaktet e djalit të tij.

Ibrahim Berisha, zëvendës-kryeprokuror i Prishtinës, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë, ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni se në rastin e drogës të cilin e kishte mbyllur prokurorja Arbëresha Shala – Raqa kishte qenë i përfshirë djali i prokurorit special Haki Gecaj.

Berisha, në intervistën dhënë për Emisionin “Drejtësia në Kosovë”, e ka arsyetuar veprimin e prokurores duke thënë se rasti ka qenë i rëndësisë së vogël.

“Prokurorja e rastit i ka analizuar të gjitha rrethanat, Arbëresha Shala është në këtë rast dhe duke pasur parasysh personalitetin e të pandehurit ku për herë të parë është ndesh me ligjin, është thirrur në disa rrethana dhe mbi këtë bazë edhe e ka hedhur kallëzimin penal duke e llogaritur se kjo ka qenë e një rëndësie të vogël”, ka deklaruar zëvendës-kryeprokurori Ibrahim Berisha.

Sipas tij, të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe se ata nuk thirren në emra. Mirëpo përkundër kërkesës së “Drejtësia në Kosovë” që a kanë raste kur kanë vepruar njëjtë sikurse në rastin e djalit të kolegut të tyre, nuk ka qenë gjendje të ofrojë të dhëna që tregojnë se ata kanë vepruar njëjtë.

“Sasia ka qenë shumë e vogël, paragrafi 2 I këtij neni ( neni 275 I KPK-së) e parasheh se dënimet mund të jenë më gjobë, ose me burgim deri në një vit. Kështu që në këto raste ka mundur të përdoren edhe procedurat alternative. Personat janë zënë me  drogë, është e vërtet, por edhe më herët e thash se është e një rëndësie të vogël dhe janë përdorues, nuk janë shitës dhe shpërndarës dhe mbi këtë bazë prokurorja është autonome në këtë rast, është e pavarur dhe e ka vendosur ashtu ia ka marrë mendja”, ka deklaruar Berisha.

Berisha tregoi edhe kur hedhet poshtë kallëzimi penal.

“Përveç në rastet kur ka arritur parashkrimi, parashkrimi relativ edhe nuk mund të merren veprime më tutje, sepse ligji decidivisht e përcakton, kur vepra parashkruhet, atëherë mund të pushohen hetimet nëse kanë filluar, ose mund të hedhet kallëzimi penal”, ka thënë zëvendës-kryeprokurori Ibrahim Berisha.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, njëherit njëri nga hartuesit e Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar se në rastet e narkotikëve nuk do duhej të përdorej instituti i veprave penale të rëndësisë së vogël pa marrë parasysh sasinë me të cilën kapen personat.

Hasani ka thënë se në rastet kur prokurorët kanë prova dhe fakte se të dyshuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, atëherë prokurori doemos çështjen duhet ta dërgojnë në gjykatë.

“Nuk mund të përdoret parimi i oportunitetit, sepse vlen parimi i legalitetit, ai i ndjekjes penale. Prokurori ka për detyrim që t`i ndjek kryerësit e veprës penale në momentin kur ka mësuar për një dyshim të arsyeshëm. Tashti eventualisht thash ka mundur nëse prokurori nëse e ka përdorur veprën penale të rëndësisë së vogël, që nuk do të duhej të përdorej vepra penale e rëndësisë së vogël kur kemi të bëjmë me narkotikët, pavarësisht sa është ajo sasia e drogës e cila është gjetur”, ka deklaruar Hasani.

Sipas tij, ligjvënësi e ka sanksionuar edhe vetëm posedimin, pa qëllim shitje. Ai ka shtuar se nuk e ka të qartë se si është e mundur që prokurori të heqë dorë nga ndjekja penale, apo të hedhë poshtë kallëzimin penal në rastet kur ka faktet se të pandehurit e kanë pranuar se janë zënë me drogë.

“Nuk e kam të qartë si është e mundur me u tërheq prokurori nëse i pandehuri ka kryer veprën penale dhe nëse e ka pranuar dhe nëse janë të gjitha provat të cilat e dëshmojnë se ai ka abuzuar me këto mjetet psikotropike qoftë në kuptimin e distribuimit, ose në atë kuptimin e posedimit edhe për vetë ne qoftë”, ka thënë Hasani.

I pyetur se lejohet mbyllja e rastit nga ana e prokurorit në rastet kur i pandehuri e ka pranuar se është zënë me drogë dhe se për veprimin e tij është penduar, ish kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani ka thënë “Jo”.

“Nëse dhe kjo ndodhë atëherë kjo është keq. S`mundet, që është penduar me rastin e marrjes së dënimit mundet eventualisht gjykata t`ia merr si rrethanë lehtësuese te peshimi i dënimit. Hetimet pezullohen, pushojnë edhe përfundojnë, pushojnë kur s`ka prova, nuk ka vepër penale, janë këto tjera rrethana – amnistia, falja, parashkrimi. Kur si ke këto rrethana ke me përfunduar hetimin dhe ke me ngrit çështjen ne gjykatë. Nuk mund ta pushosh çështjen pa këto rrethana”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka thënë se në rastet kur të pandehurit e pranojnë fajësinë para organeve të hetuesisë se janë zënë me drogë, atëherë veprimet e prokurorit do duhej të ishin të ditura.

Sipas tij në raste të tilla mund të jetë mosdija, mungesa e profesionalizmit, apo edhe mund te jetë edhe çështja e abuzimit të detyrës.

Ndryshe, hulumtimi i ekipit të emisionit ”Drejtësia në Kosovë”, i transmetuar të premten e 20 prillit 2018 dëshmoi se Valdrin Gecajt, djalit të prokurorit të Prokurorisë Speciale I është mbyllur një rast ku ai e kishte pranuar se është zënë me drogë nga Policia bashkë Gecajn, prokurorja Arbëresha Shala – Raqa, rastin ia kishte mbyllur edhe shokut të Valdrin Gecajt.

Mirëpo, siç dëshmoi hulumtimi, raste të ngjashme kur prokurorët i hedhin kallëzimet penale të Policisë, apo edhe i mbyllin hetimet në nivel vendi ka pak.

Të dhënat e hulumtuara treguan se në Prokurorinë Themelore të Pejës sipas të dhënave të siguruara nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë” del se nga viti 2013-të, deri më 2017-të, vetëm në një rast janë shfrytëzuar alternativat ligjore për një të dyshuar i cili ishte zënë me 0.07 gramë drogë.

Në Prokurorinë e Gjakovës nuk kanë asnjë rast gjatë viti 2017-të, në Ferizaj nga janari i vitit 2017-të e deri në mars 2018-të nuk kanë asnjë rast ku janë shfrytëzuar mundësitë që ishin shfrytëzuar nga prokurorja Shala.

Në Prokurorinë e Gjilanit nuk kanë asnjë rast të ngjashëm sikurse ai i Prokurores Arbëresha Shala, edhe pse janë prokuroria me numrin më të madh në nivel vendi ku shfrytëzohen masat alternative.

Prokuroria e Prizrenit, dhe ajo e Mitrovicës nuk kanë kthyer përgjigje, transmetoi”Drejtësia në Kosovë”.

Në anën tjetër zëvendës-kryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha kur është pyetur se a kanë raste të ngjashme kur i kanë mbyllur hetimet, apo i kanë hudhur kallëzimet panel nuk ka qenë në gjendje të ofrojë të dhëna.