Lajme

Si u arratisën dy të burgosurit nga Burgu i Dubravës

By FerizajPress

September 17, 2018

Mëngjesin e së shtunës, dy të burgosur nga Burgu i Dubravës janë arratisur.

Sipas drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, dy të burgosurit e arratisur kanë qenë të pavijonit D dhe të dënuar për vjedhje të rënda.

Dy të burgosurit kishin shfrytëzuar kohën e hedhjes së mbeturinave për t’u arratisur. “Mund të ju them se dy të arratisurit K. G, 29 vjeç dhe Sh. N, 62 vjeç janë arratisur më 9 shtator. Dy të arratisurit kanë qenë të dënuar për vjedhje të rënda. 29 vjeçi ka ardhur në burgun e Dubravës në maj, ndërsa 62 vjeçi ka ardhur në Dubravë në janar të këtij viti”, tha Thaçi.

29-vjeçari me inicialet K. G. është i dënuar me 8 vjet e 8 muaj e 25 ditë për veprën penale “vjedhje e rëndë”, ndërsa 62-vjeçari me inicialet Sh. N. është i dënuar me 3 vjet burgim për vjedhje të rëndë.

Sipas drejtorit të SHKK-së, Nehat Thaçi, për arratisjen e të burgosurve janë suspenduar dy gardianë.