Fatin e shqiptarëve në Turqi, nuk duhet ndarë asnjëherë nga fati i shqiptarëve që gjenden sot jashtë trungut të Shqipërisë londineze: në Kosovë, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni e Greqi. Deportimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, ishin pasojë e të njëjtave procese politike-historike, që sollën copëtimin e trojeve shqiptare në Ballkan dhe pengimin që ata të realizojnë të drejtat e tyre historike-kombëtare.
Numri i shqiptarëve në Turqi sot, nga burime të ndryshme, njoftohet ndërmjet 5 milionë minimumi e deri në 20 milionë frymë. Edhe kjo shifra e fundit nuk duket jashtë mendjes së shëndoshë, kur dihet së ne 500 vjet pushtimi nga Perandoria Osmane, numri i rekrutëve shqiptarë si jeniçerë e më vonë si nizamë, ishte shumë i madh. Një numër i ushtarëve të rekrutuar shqiptarë, ra në beteja të ndryshme, ndërsa ata që shpëtuan, mund të kenë ndërtuar një jetë në hapësirat e ish Perandorisë-Turqisë së sotme, pa futur këtu deportimet dhe shpërnguljet masovike e të dhunshme të shqiptarëve nga mesi i dytë i shekullit XIX, e deri në vitet 70-të të shekullit XX.
Ndonëse shqiptarëve në Turqi nuk u njihet identiteti kombëtar formalisht, as gjuha dhe as e drejta e shkollimit të rregullt në gjuhën amtare (nuk u janë njohur asnjëherë këto cilësi themeltare njerëzore gjatë gjithë fazës së pushtimit osman edhe shqiptarëve në trojet etnike të tyre), me afinitetet e veçanta që kanë treguar, kanë dëshmuar se mund të jenë pjesë përcaktuese e modelit qeverisës të shtetit turk, njëkohësisht edhe bartës të një misioni për një rol të caktuar në vendosjen e linjave gjeopolitike në rajon dhe botë.
Disa miliarderë shqiptarë në Turqi, mijëra milionerë, mijëra figura të shquara të politikës, ushtrisë, kulturës e sportit, me origjinë shqiptare, me një koordinim të ndërgjegjshëm, lehtë do të mund të bëheshin ndër faktorët kryesorë të përcaktimit të së ardhmes së Turqisë dhe rrjedhimisht, edhe të rivendosjes së linjës gjeopolitike e gjeokulturore që do të ndalonte brutalitetin e përplasjes së kobshme ndërmjet dy botëve.
Shqiptarët janë shfrytëzuar maksimalisht, shpeshherë edhe brutalisht, për ngritjen e Perandorisë Osmane dhe Turqisë moderne, ndaj, rendi hyjnor e do që tani të fillojnë në mënyrë të organizuar të kërkojnë hisen e tyre në rrjedhat e mëtejme, bashkë me të drejtat kulturore-politike dhe ekonomike të avancuara.
Besim Zymberi-Ferizaj 18 korrik 2016