Lajme

Si po falsifikohen paratë në Kosovë, Policia po merret me mijëra raste

By FerizajPress

October 03, 2018

Kosova po mbushet me para false. Vetëm në një shtëpi banimi në Prizren, të martën janë gjetur para të falsifikuara në vlerë prej 230 mijë euro. E sipas statistikave të Policisë, për vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 268 raste të parave të falsifikuara, shifër kjo që për tri vitet e fundit arrin në mbi 2 mijë e 50 raste. Prishtina, Prizreni e Ferizaj janë qytetet ku ndodhin këto raste më shumë, derisa kartëmonedha më e falsifikuar vazhdon të mbetet ajo në vlerë të 50 eurove, shkruan Gazeta Express. Mëngjesi i së martës, organet e hetuesisë në Prizren i gjeti në një prej shtëpive të banimit në rrugën “Rrustë Kabashi”, në Prizren.

Zyrtarë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit morën rrugën drejt kësaj shtëpie për të kryer bastisje pas informacioneve dhe dëshmive se në këtë objekt po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme.

E prej aty, ata nuk u kthyen duarthatë. Në këtë shtëpi, pas bastisjeve ata gjetën dhe sekuestruan rreth 230 mijë euro, për të cilat ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara.

“Prokuroria njofton se bastisja është realizuar në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’ rast si rezultat i bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 229,000 (dyqindenjëzetenëntë mijë) euro kartëmonedha parash, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë para të falsifikuara”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i parave të falsifikuara.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë raportuar 268 raste të tilla, shifër kjo që në tri vitet e fundit arrin në mbi 2 mijë e 50 raste.

Derisa thonë se numri i personave të arrestuar dhe parave të sekuestruara janë të ndryshme.

“Viti 2017 – 788 raste te raportuara. Viti 2018 -(JANAR – QERSHOR) – 268 raste të raportuara, ndërsa për gjashtë mujorin e dytë pas përfundimit të periudhës kohore dhe kompletimit të statistikave mund tiu procedojmë. Numri i personave të arrestuar dhe parave të sekuestruara janë të ndryshme”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës drejtuar Gazetës Express.

Ky fenomen nga viti në vit ka ardhur duke u rritur më shumë. Derisa qytetet ku falsifikohen më së shumti para mbeten Prishtina, Prizreni e Ferizaj, ndonëse më mirë nuk qëndrojnë as qytetet e tjera.

Para të falsifikuara shpesh raportohen edhe në banka e në aeroport.

Se sa shqetësuese dhe e rrezikshme për qytetarët është duke u bërë kjo dukuri, tregon një rast i vitit 2016, kur Policia e Kosovës konfiskoi 2 milionë e 131 mijë euro. Të gjitha para të falsifikuara në Kosovë.

Raste të shumta të falsifikimit të parave ishin raportuar edhe në fillim të vitit që lamë pas.

Vetëm në tre muajt e parë të 2017-ës ishin raportuar 199 raste të falsifikim të parasë. Në total vlera e parave të falsifikuara për këtë periudhë ishte 15 mijë e 793 euro.

“Si rezultat i punës dhe angazhimeve të Policisë se Kosovës lidhur me këto raste janë arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme, dhe janë konfiskuar para të dyshuara si të falsifikuara”, kishin thënë Zyra për informim në Policinë e Kosovës.

E nga kartëmonedhat më të falsifikuara po del të jetë bankënota prej 50 euro, kurse më se paku falsifikohen monedha në vlerë 5 euro. Kështu del sipas rasteve që janë raportuar në Polici.

Për tre muajt e parë të 2017-ës, ishin raportuar 199 raste të falsifikimit të bankënotës 50 euro, gjë që e bënë monedhën më të falsifikuar.

Po ashtu disa raste të falsifikimit janë edhe për paratë metalike si 50 cent e 2 euro.

Ndryshe rasti më i madh i falsifikimit të monedhave që nga paslufta ka ndodhur vitin e kaluar. Policia konfiskoi monedha të falsifikuara në vlerë mbi 2 milionë euro./Gazeta Express