Lajme

Si po e sheh Mustafa vizitën e Bidenit në Kosovë

By FerizajPress

August 13, 2016

Kreu i ekzekutivit Isa Mustafa ka treguar se po bëhen përgatitjet intensive për pritjen e mikut të madh të Kosovës, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden.

“Vizita e njeriut të dytë të demokracisë botërore është një ngjarje e madhe dhe e veçantë për Kosovën”, ka thënë Mustafa, teksa ka shtuar se themel i rugovizmit, pra i strategjisë politike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova ishte miqësia e përhershme me SHBA-të.

“Aleanca Veriatlantike e udhëhequr nga SHBA e shpëtoi Kosovën nga eksodi, shfarosja dhe zhbërja. SHBA ishte aleati ynë kryesor në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ekspertiza politike dhe mbështetja e SHBA-së kanë qenë dhe janë jetike për Kosovën”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Ata që thirren në rugovizëm duhet të kenë besim në SHBA-të, sepse ky besim dhe kjo miqësi janë gurthemel, jo vetëm i misionit dhe vizionit të politikave tona shtetërore por konsideroj se edhe, i fatit të vendit tonë”, ka shtuar më tej ai.

Për Mustafën vizita e zëvendëspresidentit Biden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike t’i ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të.