Lajme

Si e vrau polici 35 vjeçarin e paarmatosur nga Strellci

By FerizajPress

April 18, 2016

Kjo kishte çuar në intervenimin e Policisë, stacioni i të cilëve ndodhej vetëm pak metra larg lokalit ku qëndronin tre burrat, për ta prangosur njërin prej tyre. Pas kësaj, 35 vjeçari Ilmi Lufaj, nga Strellci i Deçanit, kishte shkuar, rreth orës 02:00 të mëngjesit, duke kërkuar  lirimin e shokut të tij. Kështu, rreshteri Shefqet Kamberaj ishte përgjigjur me 2 plumba, që i shkrepi në kokën e 35 vjeçarit, i cili, me të mbërritur në spitalin rajonal të Pejës, ndërroi jetë.

Gjaku në asfalt ishte tharë, por gjurmët kishin mbetur. Shiritat rrethues të policisë tashmë ishin larguar, por përballë, aty ku mbrëmë ndodhi një vrasje, stacioni i Policisë së Deçanit ruhej nga pjesëtarë të policisë të armatosur me armë automatike. Kjo masë e sigurisë ishte ndërmarrë pasi disa orë më parë, mesnatën e kaluar, pjesëtarët e ndërrimit të natës së Policisë thonë se kishin qenë në shënjestër të një sulmi fizik nga një person që kërkonte lirimin e shokut të tij, i cili kishte rënë në prangat e tyre, për prishje të rendit publik dhe shtënie me armë zjarri në ajër.

35 vjeçari nga Strellci i kësaj komune, Ilmi Lufaj, u qëllua me dy plumba në kokë, me t’u afruar dhunshëm afër stacionit policor. Kështu thuhet së paku në njoftimin policisë.

Plumbat në drejtim të tij u shkrepen nga polici i këtij stacioni, Shefqet Kamberaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 02.00 të pasmesnatës, në parkingun e një pompe benzine, që ndodhet përballë stacionit të Policisë së Deçanit, pak metra prej qendrës së qytezës. Plagët e marra nuk i përballoi 35 vjeçari, i cili ndërroi jetë me të mbërritur në spitalin rajonal të Pejës.

Megjithatë, edhe pse për policin Kamberaj viktima u pa si i rrezikshëm, ai nuk mbante me vete asnjë armë në momentin kur u qëllua.

Stacioni i Policisë në Deçan duke u ruajtur nga një pjesëtarë i armatosur me armë automatike

Rastin e njoftoi vetë Policia e Kosovës e rajonit të Pejës, mesditën e së hënës.

“Ju informojmë se më datë 18.04.2016 rreth orës 02:05  në rr.”Luan Haradainaj”, përballë pompes derivative ’ Al Petrol’, rreth 30 metra nga porta e rrethojës së jashtme të Stacionit policor në Deçan, një pjesëtar i Policisë Kosovës gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ka përdorur armën e tij zyrtare me qëllim të parandalimit të sulmit ndaj tij, nga i dyshuari shtetas i Kosovës I.L.(1988)-(tani viktimë)”, thuhet në njoftimin dërguar mediave nga zëdhënësi i këtij rajoni, Xhevat Ibraj.

Por, Ibraj nuk pranoi të flasë për Gazetën Express rreth detajeve shtesë për rastin. Detaje të tjera nuk dha as Prokuroria Themelore e Pejës.

Ata për Gazetën Express vetëm konfirmuan rastin, duke njoftuar se rreshteri i Policisë që qëlloi viktimën është në ndalesë policore për 48 orë dhe se ndaj tij prokurori i rastit, Haxhi Sinani, ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë. Gjë për të cilën nesër vendos Gjykata Themelore.

Gazeta Express merr vesh se prokuroria përveç provave të tjera që ka marrë në vendin e ngjarjes, ka lëshuar urdhër edhe për t’i marrë kamerat e sigurisë nga pompa e derivateve, në parkingun e së cilës ndodhi vrasja. Nga ana tjetër, Policia ka njoftuar se ka nisur një hetim edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ndaj veprimit që kreu polici deçanas mbrëmë ku la të vrarë një person.

Ndonëse sipas dyshimeve të para dhe të dhënave të Prokurorisë, të siguruara nga Gazeta Express, polici kreu vrasjen në vetëmbrojte, askund nuk përmendet se viktima ishte i pajisur me armë, apo mjet tjetër të rrezikshëm, në momentin kur ndodhi incidenti.

Shtëpia e familjes së viktimës Ilmi Lufaj në Strellc të Deçanit

E në Strellc, mesditën e së hënës, familja Lufaj po përgatitej për të hapur të pame për djalin e vrarë. Të afërm e kojshi kishin mësyrë derën e shtëpisë së vëllezërve të Ilmiut.

Kushëriri i viktimës, Muhamet Lufaj, nuk foli gjatë për incidentin, që ndodhi një natë më parë. Por vetëm potencoi se ata ishin informuar nga mediat për rastin, e jo nga Policia, edhe pse ngjarja kishte ndodhur para stacionit policor dhe vrasja ishte kryer nga një rreshter.

 

“Nuk dimë asgjë çka ka ndodhë. Çkado që flasim mundemi me gabu. Vetëm mundem me ju thanë se ne si familje jemi informu nga mediat dhe në internet. E jo nga Policia, edhe pse ata e kanë vra djalin tonë”, tha Muhameti për Gazetën Express.

Detaje për rastin nuk kanë as familjaret e rreshterit Shefqet Kamberaj. Derisa ai mbahet në paraburgim, shtëpia e familjes së tij që ndodhet në fshatin Lebushë të Deçanit, pak kilometra nga Strellci prej nga ishte viktima, po ruhej nga një patrullë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Gazeta Express arriti të bisedojë me një nga familja e tij, porse ai kërkoi që detajet dhe informatat t’i merrnin nga Policia e Deçanit apo Pejës, pasi thanë se Kamberaj ishte në detyrë në kohen kur kreu vrasjen.

“Ai ka qenë në detyrë kur ka ndodhë kjo. Ata e dinë mas miri, edhe mujn me ju tregu”, tha një familjar.

Asnjëri nga familjarët e të dy palëve, e as të afërm të tyre, nuk thonë se viktima dhe polici të kenë pasur ndonjë konflikt të mëhershëm. Madje, ata e vënë në dyshim edhe nëse ata dy janë njohur mes vete.

Shtëpia e familjes së Shefqet Kamberaj në Lebushë të Deçanit

Mirëpo, ish pjesëtari i UÇK’së, Ilmi Lufaj, që mbrëmë mbeti i vrarë, kishte pasur edhe më herët telashe me organet e rendit dhe ishte i dënuar për veprime kriminale. Bile, në maj të vitit 2012, nga Misioni Europain “EULEX”, përmes, atëkohë Gjykatës së Qarkut në Pejë, ishte dënuar me 10 vite burgim dhe gjobë prej 150.000 euro për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina nga fshati Gllarevë i Klinës. Rrëmbimi ishte dëshmuar se ishte kryer dy vite më herët (2010) nga ai në bashkëveprim me 6 persona të tjerë, po ashtu të dënuar.

Por, derisa EULEX’i e kishte dënuar Ilmi Lufajn me burgim, gjobë, e më pas e kishte liruar, vëllai i tij më i vogël Himë Lufaj, ende është i paarritshëm për autoritetet policore në Europë. Madje, emri, fotografia dhe të dhënat e tij personale figurojnë edhe në faqen e “Europoolit” si person i kërkuar që qëndron në arrati, për të cilin kushdo që jep informata shpërblehet.

29 vjeçari akuzohet se ka tentuar ta plaçkiste një lokal në Vjenë në Austri në vitin 2006. E kur kishin rënë Policia në gjurmë te të riut nga Deçani, ai përsëri kishte arritur përsëri të ikte, duke e lënë të lënduar seriozisht dhe në rrezik për jetë një polic. /GazetaExpress/

Vendi ku ndodhi incidenti, mesnatën e së hënës

 

Viktima Ilmi Lufaj