Editorial

Si e gjen 8 Marsi gruan në Kosovë?

By FerizajPress

March 06, 2020

Shkruan: Hanife Salihu

Parashtrimi i pyetjes që në titull të këtij shkrimi nuk është i rastësishëm dhe mandej jo i panevojshëm.

Pasi që, në rrethanat e krijuara në katër/ tri dekadat e fundit, e në veçanti në dy dekadat e fundit ka pasur dhe ka mundësi që ajo të ketë qenë e të jetë në pozitë më të lakmueshme, më e përkrahur se kur më parë!

Por, a është ashtu siç do duhej të jetë?

Unë kujtoj se jo!

A është e diskriminuar, dhe çfarë lloj diskriminimi ka sot vajza/ gruaja në Kosovë?!

Unë, do dua të ndalem te kjo pyetja e fundit, pasi që kujtoj se, kemi mundësi të vihemi në pah llojet e diskriminimit dhe nga kush saktësisht diskriminohemi?

Pa i specifiku llojet e diskriminimit dhe pa i etiketuar zor që do kemi zgjidhje dhe pse kjo merr shumë kohë.

Pra, në këtë shkrim, do të ndalem te vajza/ gruaja në dy dekadat e fundit, por gjithsesi, do të kem lidhshmëri edhe në kohën e para katër dekadave e më herët.

Siç dihet, në të kaluarën historike, vajza/ gruaja shqiptare edhe pse në rrethana tej të vështira për mbijetesë të Kombit, ajo ka ditur të bënë emër përkrah gjinisë mashkullore, për t’a mbrojtur çështjen kombëtare, edhe pse nga e kaluara historike kemi gra të numëruara në gishta që janë vë në ball të proceseve historike, duke pasur parasysh pushtimin e vendit dhe njëkohësisht gjendjen ekonomike/ sociale, analfabetizmin e popullit dhe patriarkalizmin shoqëror, fenomene të cilat e kanë rënduar jetën e saj.

Pra, siç shihet, në të kaluarën ka pasur pengesa të llojeve të ndryshme për zhvillimin dhe emancipimin e saj në rrafshin kombëtar.Ndërsa, pas padrejtësive që ju bën shqiptarëve në rrafshin historik duke i nda në disa shtete, e në kohën kur Kosova administrohej prej ish Jugosllavisë e në veçanti Serbisë, vajza/ gruaja ishte në pozitë shumë të vështirë, ngase jo vetëm që nuk kishte kushte të krijuar për arsimimin e saj, mandej arsimimin fillor, por, ajo kishte pengesa edhe nga familja e saj, ngase pushtimet e shumta kishin krijuar një mentalitet që vajzës/ gruas nuk i duhet shkolla. ( po citoj siç kam dëgjuar: shkollë shkojnë vetëm ( shkijet) serbët)

Por, megjithatë, vajza/ gruaja kishte arritur aty/ këtu të shkollohej e të jetë e denjë në jetë. Siç shihet, një pozitë më të mirë vajza/ gruaja shqiptare në Kosovë e arriti në pesë/ katër dekadat e fundit.

Por, ku ndodhet ajo sot pasluftës, a është e lakmueshme pozita e saj në shoqëri, nga kush diskriminohet?

Por, fatkeqësia e gjithë kësaj është; parashtrimi i këtyre pyetjeve, që nuk do doja të jenë temë diskutimi sot në shoqërinë tonë.Pra, vajza/ gruaja sot përkrahet nga familja, nuk diskriminohet ( këtu është fjala si në të kaluarën e afërt), nxitet nga familja, jo vetëm të arrin në shkollimin e saj, por ajo nxitet nga familja që të zë vend me rëndësi në shoqërinë tonë publike. Pra, ka mbështetjen familjare!

Por, ajo kur arrin në një stad të zhvillimit të saj, ajo rrugës ka sfida të tjera, ngase fillon aty “ përkrahja” ose pengesa e saj.Pse paraqitën këto dy fenomene të kundërta në shoqërinë tonë, kur do duhej lënë me kapacitet e saj humane të arrin në cakun e zhvillimit të saj, pa pasur nevojë as me përkrah e as me pengu. Pra, këtu fillon “lufta” e saj, pengesa e saj, kur sot gjithë e kemi gojën plotë për barazi gjinore!E në fakt, nuk përkrahët përgjithësisht ajo, por në mënyrë selektive. Shtrohet pyetja, pse ky fenomen sot në shoqërinë tonë?Vërtet, e dhimbshme, por këtë e kultivoj shoqëria jonë, ngase vajzat/ grat e ndershme, punëtore e me kapacitete humane lihen anash, luftohen e çka është edhe ma e keqja, sado që bën punë të mëdha, ato punë mundohen të minimizohen apo të eliminohen në heshtje. Ato, menxi, ndonjë prej tyre që depërton duke pasur kapacitete humane (fatbardhësisht, ka të tilla që kemi e që kanë arritur në karrierën e tyre, në punën e tyre kudo që punojnë) Por, këto luftohen që në fillim nga ato që nuk kanë kapacitete humane, nuk janë punëtore, e fatkeqësisht kanë arritur të përkrahën e t’i luftojnë ato të denjat e punëtoret!

Pra, gruaja sot, luftohet nga grupe të interesit me gjithë forcën, anashkalohet dhe mandej edhe përqeshet se nuk po mund t‘a gjenë veten në shek . XXI, e në Kosovën e çliruar. Kështu po e gjenë 8 Marsi gruan/ vajzën në Kosovën e ëndërruar për trajtim të barabartë e në përkrahje të atyre që kanë aftësi e kapacitete humane.

Por, „ fatkeqësia“ e tyre është se, kanë kapacitete humane e diskriminohen!