Ferizaj

Shumë kërkesa nga ana e qytetarëve

By FerizajPress

June 22, 2016

Të mërkurën në Ferizaj, është mbajtur diskutimi i parë publik me qytetarët ferizajas për Kornizën Afatmesme Buxhetore e cila përfshin projektet që planifikohen të realizohen gjatë viteve 2016-2018.

Fillimisht drejtoresha e financave Lirije Syla ka thënë se ky diskutim publik organizohet me qëllim të ofrimit të informacioneve rreth kornizës afatmesme buxhetore për vitin 2017-2019. Sipas saj ky dokument ka rëndësi të veçante sepse në vetë ngërthen të gjitha politikat zhvillimore të komunës së Ferizajt, si dhe i paraprinë hartimit të buxhetit për vitin 2017 .

“Buxheti për vitin 2017 sipas kufijve që na është ofruar në qarkoren e parë buxhetore 2017/01 për vitin 2017 llogaritet të jetë 26 milion e 480mijë .582 euro, që do të thotë se nga buxheti i komunës së Ferizajt do të ketë dy burime të të hyrave nga granti qeveritar dhe nga të hyrat vetnake. Ku pjesa më e madhe buxhetit të komunës përbehet nga grantet qeveritar ku merr pjesë më mbi 83 për qind”, ka thënë drejtoresha Syla.

Si dokument shumë të rëndësishëm Kornizën Afatmesme Buxhetore e ka konsideruar edhe numri një i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ai tha se përmes këtyre diskutimeve publike po realizohet obligimi ligjor, por edhe qytetarë në mënyrë që këta të fundit të kenë një komunikim të drejtpërdrejt sa i përket harmonizimit të politikave të vendimmarrjes.

“Qeverisja komunale vëmendje prioritare i ka kushtuar ndarjes proporcionale të mjeteve buxhetore ne harmoni me të gjitha e pagesën e taksapaguesve tanë. Kjo ka qenë një nga kriteret për ndarjen e mjeteve buxhetore që ndërlidhen me infrastrukturën e përgjithshme të vendbanimeve tona rurale dhe urbane që nënkuptojnë ujësjellsat, kanalizimet , asfaltimet e rrugëve si dhe aplikimin e standardeve ne këto prioritete që të gjithë qytetarët t’a ndien dorën e pushtetit dhe pushtetit të jetë i barabartë me të gjithë sa i përket shpërndarjes së parasë publike. Unë mendojë që në ne parim kemi arrit që të kemi një dokument të rëndësishëm të cilin ne po e fillojmë këtë komunikim me qytetarë, i cili dokument nuk është ideal, por mendojmë që përmes debatit publik të funksionalizojmë dhe ta bëjmë të pranueshëm për të gjithë qytetarët”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se nuk ka asnjë vendbanim i cili nuk e ka përjetuar ndihmën e komunës përmes ndarjes se parasë publike dhe përmes realizimit të projekteve për lehtësimin e jetës së qytetarëve.

“Kemi bërë përmirësimin e jetës së qytetarëve në shëndetësi në të gjitha nivelet, por edhe për shërbime të administratës civile me hapjen e zyrave të reja nëpër bashkësi lokale. Ne po planifikojmë sa i takon shëndetësisë të bëjmë edhe një ambulancë në fshatin Dardani, në fshatin Llojza dhe Nerodime si dhe hapjen e zyrave të vendit në fshatin Softaj dhe Nerodime”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai më tej është ndalur edhe tek projekte të tjera siç është uji i pijshëm, por edhe projekte të shumta që janë në të mirë të të gjithë qytetarëve ferizajas.

Kurse kryesuesi i Kuvendit Komunal Faruk Guri, shpjegoi se deri më 30 qershor kornizë duhet të dorëzohet në Ministrinë e Financave, por kjo nuk do të thotë se projektet janë përfundimtare sepse do te ketë takime edhe me tutje.

Ndërkaq qytetarët e pranishëm adresuan kërkesa të ndryshme duke filluar nga kushtet infrastrukturore.

U tha se diskutime të tjera do të mbahen edhe ditëve në vazhdim në mënyrë që secila kërkesa e qytetare të përfshihet në Kornizën Afatmesme Buxhetore për vitin 2017-2019.