Lajme

Shtohet presioni mbi Metën: PD ikën nga Kuvendi, Rama synon mandatin e dytë

By FerizajPress

February 19, 2017

. Por dalja nga Kuvendi e PD përkon me dy javë të rëndësishme parlamentare të zbatimit të Vettingut, duke përcjellë kështu krizën në zyrën e kryetarit të Kuvendit, mbi të cilin po shtohet presioni të japë një qëndrim ndaj situatës së re politike.

Protesta e opozitës duket sikur po rikthen në skenën politike atmosferën e korrikut të vjetshëm, kur, përveç numrave për Reformën në Drejtësi, secili aktor po llogariste edhe numrat për një qeveri të re.

Nga çadra e opozitës, me zërin e Vangjel Dules nuk ka munguar një ftesë bashkëpunimi për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila vazhdon të heshtë për protestën kundër qeverisë.

Në këtë atmosferë kryeministri Edi Rama, u shfaq në një mjedis publik, pak metra larg protestës, me deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipin, me të cilin u pa të shoqërohej edhe gjatë krizës së korrikut të kaluar.

Tek ai, Rama gjeti mbështetjen në korrik për të garantuar numrin 71 të votave, nëse Ilir Meta mund të largohej nga qeveria, siç paralajmëroi vetë në një nga skenarët e miratimit të Reformës pa konsensusin e opozitës.

Por a do të thonë këto zhvillime se situata po lëviz nga çadra e protestës drejt kryesisë se Kuvendit të drejtuar nga Ilir Meta? Përveç protestës në rrugë, opozita ka marrë edhe një veprim tjetër politik.

Pasditen e të dielës opozita vendosi të bojkotojë Parlamentin përsa kohë ajo do të jetë në protestë përpara kryeministrisë. Kjo nuk është hera e parë që Partia Demokratike bojkoton kuvendin, por, këtë herë, ky hap përkon me një fazë të rëndësishme të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Nëse opozita nuk kthehet në Kuvend deri në fillim të marsit, bëhet e pamundur ngritja e menjëhershme e komisioneve parlamentare që do të verifikojnë kandidaturat për Vettingun dhe më pas votimin e tyre.

Ligji përcakton përbërje të barabartë të këtyre komisioneve mes mazhorancës dhe opozitës dhe mungesa e njërës palë, në rastin më të mirë, e shtyn të gjithë procesin.

Por a mund të jetë përbërje kjo një shkak për një krizë të mundshme parlamentare? A mund të jetë kjo një situatë e re, me të njëjtët aktorë dhe më të njëjtin argument, Reformën në Drejtësi?

Thuhet se në korrik beteja e nervave ndaloi kur njëra palë siguroi 71 vota. Por një spirale e re me protesta në rruge dhe me një krizë parlamentare të njëanshme që bllokon Vettingun, mund të kërkojë me shumë garanci se kaq për të hedhur hapin e parë drejt një krize politike pa kthim.

“Pa kthim”, një shprehje për të cilën Meta hesht, ndërsa Rama dhe Basha bien dakord, por në drejtime të ndryshme. Njërin prej të cilëve, herët a vonë duhet ta ndjekë edhe LSI.