Administrata Tatimore e Kosovës në rajonin e Ferizajt, ka arritur që gjatë vitit 2018, të grumbullojë afro 16 milionë euro, mjete këto të cilat i kanë shkuar buxhetit të shtetit nga taksapaguesit Ferizajas, duke mos përfshirë në këtë shifër edhe tatimpaguesit e mëdhenj që operojnë në këtë komunë. Por nga Ministria e Financave është kërkuar që kjo vlerë për vitin 2019 të rritet për 16 %, pasiqë qeveria e ka planifikuar të rrisë buxhetin e konsoliduar në mbi 2 miliard euro.
Drejtori i ATK-së në Ferizaj, Avdi Jakupi, shprehet se kjo kërkesë e Ministrisë do të jetë shumë sfiduese për ta.
“Planifikimi për vitin 2019, neve na obligon që këtë vit të kemi një rritje të planit, që për neve do të jetë sfidë për neve si regjion, për 16% do të kemi rritje të planit nga viti 2018, dhe kjo do të jetë sfidë për neve me kapacitet që i kemi edhe të bizneseve por edhe të resurseve që i kemi ne brenda institucionit” tha drejtori Jakupi.
Jakupi tha se një ndër mënyrat për zbatimin e këti vendimi, është mbledhja e borgjeve që bizneset kanë ndaj ATK-së, por edhe nga gjobat të cilat ata do t’u shqiptojnë bizneseve, duke thënë se këtë vit në plan kanë inspektimin e ordinancave, avokaturat dhe bizneset të cilat ofrojnë produkte pa origjinë.
“Ne jemi duke bërë projeksionet operative në ndërmarrjen e masave shtrënguse në inkasimin e borgjeve por njëkohësisht edhe jemi duke ndërtuar plane operative për vizita të radhës tek të gjitha aktivitetet biznesore në respektimin e fiskalizimit, në rritjen e të hyrave. Çështjen e punëtorëve e kemi pengesë shumë serioze pasi një numër i bizneseve nuk i kanë të sistemuar punëtorët në listën e pagave. Poashtu këtë vit do të zhvillojmë inspektim tek një numër i konisderueshëm i bizneseve për identifikimin e mallrave pa origjinë. Sivjet kemi projkesione që të merremi edhe me aktivtetet shërbyese shumë më tepër, do të merremi me ordinancat, avokaturën, me shërbime të ndryshme financiare dhe tek të gjithë ata që krijojnë të ardhura nga shërbimet e tyre, do të shikojmë sa ata janë të përgjegjshëm në respektimin e ligjeve tatimore”, tha Jakupi.
Në anën tjetër, drejtori i ATK-së në Ferizaj, kërkon nga bizneset që të rregullojnë gjendjen e tyre, para se tu shkojnë inspektorat.
“ Ne i inkurajojmë bizneset që krahas vështërsive që ata i kanë, të bëjnë rregullimet e tyre para se të vizitohen nga zyrtarët tatimor, në mënyrë që të jenë në gjendje të rregullt në aspektin e deklarimit, raportimeve, në aplikimin e arkave fiskale dhe në regjistrimin e punëtorëve që ata i kanë të angazhuar. Në të kundërtën, ne do të detyrohemi të marrim masa për ta”,tha Jakupi.
Në këtë institucion u bë e ditur se në rajonin e Ferizajt janë afro 19 mijë biznese të regjistruara, porse nga ky numër janë vetëm 7 mijë biznese të rregullta, nga të cilat ATK arrinë të vjelë të hyra.Gjatë vitit që e lamë pas, ATK në Rajonin e Ferizajt ka shqiptuar rreth 500 gjoba mandatore në vlerë prej mbi 100 mijë eurosh, ndërsa vlera e borxhit që bizneset kanë ndaj ATK-së, e kalon vlerën e 35 milion eurove.Transmeton Tema