Lajme

Shteti i kërkon policisë britanike të kryejë hetimet për Rastin Dehari

By FerizajPress

November 19, 2016

Në letrën që “Zëri” e ka siguruar nga burimet e saj, ministrja Hoxha, ftojnë policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndarë të kryej një hetim në lidhje me këtë rast.

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë: 

E kuptoj se qeveria juaj dhe e jona ndajmë shqetësimin e njëjtë se është tejet e rëndësishme që hetimet rreth vdekjes së z.Astrit Dehari në paraburgim të kryhen dhe kompletohen në mënyrë profesionale dhe të paanshme.

Në këtë kontekst, po ashtu i referohem vizitës së fundit të Sekretarit të Shtetit, Johnson në Kosovë dhe fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ku ai ka adresuar këtë shqetësim. Siç e dini, autoritetet e Kosovës janë në proces të kryerjes së një hetimi të hollësishëm në këtë rast dhe unë konfirmoj se të gjitha autoritetet e Kosovës, që janë të përfshira në këtë proces, janë të zotuara që të kryejnë një hetim profesional, të paanshëm dhe të gjerë. Mirëpo, siç e dini, në pjesë të caktuara të opinionit publik, janë shfaqur dyshime në lidhje me integritetin dhe paanshmërinë e procesit të hetimit. Kjo mund të shkaktoj një dëm të madh në promovimin e rendit dhe ligjit dhe respektimin për institucionet e Kosovës.

Me qëllim të adresimit të këtyre shqetësimeve dhe për të siguruar besimin dhe kredibilitetin e publikut për këtë hetim, Ministria e Drejtësisë, së bashku me Kryeprokurorin e shtetit, ftojnë dhe mirëpresin policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndarë të kryej një hetim në lidhje me këtë çështje. Edhe pse të gjeturat e hetimit të tanishëm pritet të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim, çfarëdo hetimi që do të kryhej nga Skotland Jard, nuk duhet të pengohet apo kufizohet nga këto të gjetura.

Edhe përkundër mundësisë së kufizuar të fondeve, ne jemi në gjendje të bëjmë aranzhime për t’i mundësuar policisë metropolitane që ta kryej këtë hetim. Po ashtu, autoritetet e Kosovës janë të gatshme që të sigurojnë çfarëdo ndihme që ka nevojë policia metropolitane për të realizuar dhe kompletuar këtë hetim. Nuk kam dyshim se autoritetet e Kosovës po kryejnë hetimin në mënyrë shumë profesionale dhe të pavarur. Sidoqoftë, përfshirja e policisë metropolitane do të siguronte një besim publik në këtë proces dhe ne jemi të gatshëm të pranojmë të gjeturat e këtij hetimi, duke pasur besim në profesionalizmin dhe paanshmërinë e policisë metropolitane. Mbështetja dhe bashkëpunimi juaj në këtë çështje është i mirëpritur dhe i vlerësuar.

.