Lajme

Shqiptarja rrëfen tmerrin në Nisë: Ishte si skenë lufte

By FerizajPress

July 15, 2016

Në Nisë të Francës ka edhe shumë shqiptarë që jetojnë aty. Liljana Berberi, e cila ka 3 vjet që jeton në këtë vend, ka qenë shumë pranë sulmit dhe ka rrëfyer atë çfarë ka parë dhe ka përjetuar së bashku me familjen e saj.

Në një lidhje telefonike për “Top Channel”, Berberi është shprehur: “Situata në Nisë është shumë, shumë e keqe. Ishim bashkë me burrin tim dhe me miqtë tanë të dashur nga Strasburgu duke i parë fishekzjarrët. Po kalonim shumë, shumë bukur. Në momentin sa mbaruan fishekzjarrët, bëmë 50 metra duke dëgjuar muzikë e duke kërcyer të katërt dhe në atë moment burri im shikon një makinë policie edhe thotë ‘çfarë kanë këta policët që bëjnë kështu në mes të njerëzve me makinë?’ dhe në të njëjtën kohë i them që janë me antiplumb që po vrapojnë, diçka po ndodhë”.

Më pas ajo ka shtuar: “Në vendin që ne ishim, dëgjuam të shtëna automatiku dhe nuk dinim nga të iknim, zbritëm poshtë te plazhi, njerëzit vraponin nga të gjitha anët, gra shtatzënë, fëmijë, trupa të prerë, zorrët jashtë. Kamioni ishte nga ata 18 tonësh dhe i mori të gjithë, të rinjtë me motor, skena lufte. Kisha mikeshën shtatzënë 5-muajshe dhe nuk dinim nga të shkonim”.

“Në këto momente që po ju flas juve, sapo kemi hyrë në shtëpi me burrin ndërsa goca 19-vjeçare është e bllokuar në Hotel “Plaza”, jo larg nga vendngjarja. Ishin duke pirë me shoqërinë e vet një gotë dhe janë të bllokuar, nuk i lejojnë të dalin. Janë të mbushura hotelet dhe restorantet, nuk i lejnë të dalin. Është gjendje paniku dhe ka ambulanca pafund”.