Lajme

Shqipëria nuk po e zbaton heqjen e kontrolleve kufitare me Kosovën

By FerizajPress

April 12, 2019

Në një ceremoni të madhe dhe në prani të mediave në nëntorin e vitit që e lamë pas, Edi Rama i Shqipërisë e Ramush Haradinaj i Kosovës, vunë në letër nënshkrimet për nëntë marrëveshje të cilat u cilësuan si unifikuese për të dy shtetet.

U përmendën shërbimet roaming në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, heqja e kontrollit kufitar, njohja e patentë shoferëve e të tjera. Por, asnjëra nga to, që nga ajo kohë nuk ka gjetur zbatim.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më 29 dhjetor të vitit 2018, nga pika kufitare në Vërmicë deklaroi se 50% e marrëveshjes për heqjen e kontrolleve kufitare është realizuar ai më tutje shtoi se kishte biseduar me kryeministrin Rama dhe se ishin dakorduar që në fillim vit të nisë zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Data tjetër e përmendur nga Haradinaj është 2 prilli 2019 kur në mes të Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ketë më kontrolle fizike në pikën kufitare të Vërmicës. Por as edhe kjo pikë nuk është realizuar nga ana e autoriteteve të Shqipërisë.

Kosovarët ende iu nënshtrohen kontrolleve kufitare në atë pikë. E për këtë punë, nga qeveria e Kosovës deklarohen për Express, se i kanë kryer të gjitha obligimet të cilat ishin paraparë në këtë marrëveshje. Dhe se ‘topi’, tashmë është në anën e autoriteteve në Shqipëri.

“Kosova e ka përfunduar pjesën e saj në këtë drejtim. Sa i përket palës së Shqipërisë duhet pyetur ata se ku kanë arritur”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Qeverisë së Kosovës.

Edi Rama i Shqipërisë, në ceremoninë e çeljes së Zyrës Doganore në Durrës pati thënë se kjo Zyrë Doganore do t’i paraprijë hapjes së kufirit të modelit ‘Shengen’ dhe kufiri Kosovë-Shqipëri do duket njësoj si kufiri mes Francës dhe Gjermanisë, apo mes Italisë dhe Zvicrës.

Të kontaktuar nga Gazeta Express, Ministria e Brendshme e Shqipërisë nuk është deklaruar se a do të ketë heqje të barrierave fizike mes Kosovës dhe Shqipërisë sipas sistemit Shengen. /GazetaExpress/