Shqipëria dhe aksidentet e saj ajrore më tragjike (FOTO)

By FerizajPress

April 06, 2016

Ngjarja më e rëndë është padyshim ajo e 22 nëntorit 1989, kur dy helikopterë të bazës së Farkës, u përplasën njëri pas tjetrit në malin e Llogarasë. Bilanci: 21 të vdekur. Mes viktimave stafi ushtarak i helikopterëve, mjekë të nisur për të dhënë ndihmën e parë për një aksident me autobus dhe studentë e profesorë.

Një tjetër aksident i rëndë, ka qenë ai i 17 korrikut 2006, ku humbi jetën politikani Gramoz Pashko. Helikopteri Bell 222 u nis nga Tirana të dërgonte Pashkon në Itali pas një incidenti në plazh. Humbën jetën vetë Pashko, i biri, 2 mjekë dhe 2 pilotë.

Në 26 gusht 2014 në zonën e Dukagjinit një helikopter BO 145 i Ministrisë së Brendshme, u rrëzua në këtë zonë, pasi u qëllua nga kultivuesit e lëndëve narkotike. Nuk pati persona të lënduar.

Aksidenti i 6 prillit 2016 në zonën e Shkodrës është i katërti me helikopterë të rrëzuar.

Aksidentet e tjera u përkasin avionëve ushtarakë. Në vitin 1999, një “charter” i Kombeve të Bashkuara i nisur nga Rinasi u rrëzua ne Malet e Sharrit në Prizren.

 

Më 16 shtator 2004, piloti i vjetër Jani Tarifa u shkëput nga toka me avionin Mig-19 për një mision stërvitor, por pa kaluar shumë minuta nga shkëputja me bazën,  ai u rrëzua. Avioni ra pranë  Aeroportit të Rinasit duke shënuar një nga aksidentet ajrore ushtarake në vend që shkaktoi gjithashtu  edhe diskutime për kontrollin teknik të tyre dhe solli uljen e tyre në tokë në mënyrë përfundimtare.

Shtatë muaj pas kësaj ngjarjeje, një tjetër aksident ajror ndodhi në malet e Gramshit.  31 mars 2005, duke gdhirë 1 prilli,  avioni ushtarak Hercules-130 u ngrit në fluturim stërvitor nga Rinasi. Kushtet e vështira të motit, por edhe fakti se avioni fluturonte afër tokës u thanë se ishin shkaqet që përplasën avionin ushtarak në malet e Gramshit. Në bordin e tij ndodheshin 9 ushtarakë amerikanë të cilët humbën jetën të gjithë.

The post Shqipëria dhe aksidentet e saj ajrore më tragjike (FOTO) appeared first on Lajminet.