Lajme

Shqipëri-Kosovë, qershori 2016 më shumë se gjysmë milion hyrje-dalje të personave

By FerizajPress

July 14, 2016

Në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë qershori i vitit 2016 shënoi më shumë se gjysmë milioni – gjithsej 507886 hyrje-dalje të personave, 1.52 për qind më shumë krahasuar me qershorin 2015, kur kishte 500288 hyrje-dalje.

Policia e Kosovës bën të ditur të mërkurën për ATSH-në se në qershorin e kësaj vere në vendkalimin kryesor në Autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, kishte 436301 hyrje-dalje të personave, në Qafë Morinë 47498 dhe në Qafë Prush 24087.

Në të tre vendkalimet, në qershor 2016 hyrje-dale të automjeteve kishte gjithsej 140851 vetura, 5988 autobusë e 14261 kamionë.

Këtë verë fluksi i kosovarëve drejt bregdetit shqiptar dhe përgjithësisht fluksi në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri pritet të shënojë rritje të mëtejshme në korrik e gusht krahasuar me qershorin dhe me vitet e kaluara që ishin gjithnjë me ngritje.

Gjatë tre muajve të verës 2015 – qershor, korrik e gusht, mes Shqipërisë e Kosovës kishte më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave.

Sipas policisë kosovare, viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithsej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithsej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-ten. Ishin gjithsej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve.

Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasuar me 2013-ën.

Në fluks të rritur vere, sot në mesditë e në këto momente, në tre vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri kalohet për më së shumti tre minuta, e kolonë ka vetëm në hyrje nga Shqipëria në Kosovë 30-40 metra në Morinë-Vërmicë, bën të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Këtë verë, në 7 korrik në kufirin Shqipëri-Kosovë u nënshkruan procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikëkalimin kryesor nëpër autostradë Morinë-Vërmicë, në territoret respektive. Nënshkrimi u bë në anën kosovare, Vërmicë, nga dy drejtorët e përgjithshëm të policive, i Shqipërisë Haki Çako dhe i Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në 29 qershor, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror.

Në 1 korrik ka nisur organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror, deri në 31 gusht, sipas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në 30 qershor në Prizren nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë e Kosovës, Çako e Maxhuni.