‘Shpikjet’ e mediave serbe: Në gusht, trazira në rajon

By FerizajPress

June 17, 2016

Sipas gjetjeve të medieve serbe, të marra nga qarqet e shërbimeve të inteligjencës serbe, së pari do të krijohet kaos në Maqedoni, prej nga do të vazhdohet drejt Serbisë jugore për tu shtrirë në gjithë rajonin.

Të gjitha veprimet e mëvonshme, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, do të kryhen si pjesë e një plani të paramenduar për të krijuar një Shqipëri të Madhe, gjegjësisht ndryshimit të kufijve në Ballkan!

Mediat serbe, në këtë kontekst kanë përmendur edhe deklaratën e ish-zëvendësshefit të CIA-s, Steeven Mayer i cili kishte thënë se mendon që ka shanse të mëdha që kufijtë në Ballkan do të ndryshojnë.

“Mendoj se shanset janë të mëdha që kufijtë të ndryshojnë. Do të ndryshojnë kufijtë e Kosovës, edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni. Vendi më i rrezikshëm në Ballkan aktualisht është Maqedonia, jo vetëm për shkak të problemeve të shqiptarëve etnikë dhe ortodoksë të Maqedonisë, por edhe për shkak se në mesin e ortodoksëve në Maqedoni ka mosmarrëveshje”, kishte thënë Meyer.

Siç shkruan më tej “Alo!” konfliktet e armatosura në Kumanovë në vitin 2015 mund të shërbejnë si një model të provuar të goditjeve të reja, përcjell Telegrafi.

“Qëllimi është që kaosi në Maqedoni të shtrihet në vendet tjera, duke përfshirë edhe Serbinë”, citohet t’i ketë thënë këtij portali një burim nga Shërbimi serb i sigurimit.

Sipas fjalëve të tij, agjencitë serbe monitorojnë zhvillimet në rajon dhe janë të gatshme për të reaguar, sidomos “kur bëhet fjalë për jug të Serbisë, kryesisht Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

“Për shkak të situatës në jug të Serbisë, zyrtarët e sigurimit serb, vëmendje të veçantë i kushtojnë kësaj pjese, si dhe përgjatë kufirit administrativ me Kosovën”, citohet të ketë thënë ky burim.

The post ‘Shpikjet’ e mediave serbe: Në gusht, trazira në rajon appeared first on Lajminet.