Lajme

Shpërthen skandali i tretë i kurdisjeve!

By FerizajPress

April 06, 2017

Ka shpërthyer skandali i tretë brenda javës në futbollin e Kosovës, që ka të bëjë me kurdisje. Pas rastit Besa – Trepça dhe atij të video-skandalit futbollin kosovar kësaj radhe e trondit ish-kryetari i Ferizajt, Heset Maliqi – “Quza”. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Zëri”, “Quza” tregon se si klubi i tij kishte shitur lojë prapa shpinës së tij. Ndërsa pohon se njerëz të ndryshëm i shkonin me para në dorë për të blerë lojë prej Ferizajt. Madje, “Quza” thotë se njeh asi “tregtarë të ndeshjeve” e që sot janë në Federatën e Futbollit të Kosovës

Futbolli i Kosovës po i përjeton ditët më tronditëse dhe më të vështira të paktën në periudhën e pasluftës. Skandalet që kanë të bëjnë me trukime të ndeshjeve vazhdojnë të dalin në shesh, shkruan sot gazeta “Zëri”..

Në fakt, që nga paslufta gjithnjë ka pasur dyshime të forta për kurdisje të një numri shumë të madh të ndeshjeve futbollistike, por vetëm në një rast u patën shqiptuar dënime, kurse të tjerat kishin kaluar lëre pa u dënuar, por as pa bërë zhurmë të madhe.

Mirëpo, diçka e pazakontë po ndodh këto ditë dhe skandalet po dalin në publik pandërprerë. Pas rastit të dyshimtë të së dielës Besa – Trepça dhe video-skandalit të së martës, të mërkurën në skenë doli Heset Maliqi – “Quza”, ish-kryetari i klubit të futbollit të Ferizajt. “Quza” i ka hapur letrat dhe në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Zëri” pretendon kurdisje të kahershme në futbollin e Kosovës, pjesë e të cilit ishte dikur, por që ishte larguar, siç thotë ai, pikërisht dukurive të tilla të zeza.

“Me u tërheq nga futbolli më ka shtyrë një detaj shumë i keq. Më është shitur një ndeshje pas shpine. Janë edhe incizimet ku shihet portieri që me duart e veta e fut topin në portë”, ka deklaruar “Quza” për gazetën “Zëri”.

“Paramendoje që shumica ose një pjesë e trajnerëve janë edhe profesorë në Fakultet. Ai trajner mund ta thërrasë lojtarin kundërshtar dhe e kërcënon me notë. Paramendo se sa mund të japë kontribut një lojtar ndaj trajnerit që e ka kundërshtar, kur pas një jave do të hyjë në provim”, ka theksuar ai.

I shkonin me para në dorë për t’i blerë lojë!

Ish-kryetari i Ferizajt thotë se klubi të cilin e drejtonte e kishte shitur një ndeshje tinëz tij, ndërsa thotë se vetë kishte refuzuar oferta nga më të ndryshmet për të shitur lojë. Duke parë mënyrën e funksionimit të futbollit kosovar Heset Maliqi – “Quza” kishte vendosur të largohet nga Ferizaj dhe nga futbolli.

“Ne kemi qenë ndër ekipet e rralla që në sezonin 2012/13 e kemi siguruar hyrjen në Superligë shtatë javë para se të përfundonte kampionati. Të gjitha ndeshjet, përpos një prej tyre që e kemi fituar 1:0, i kemi fituar nga 3:0, 4:0 apo edhe 5:0. Për secilën kanë ardhur njerëz me lekë në dorë, bile një ekip prej tyre ka mbetur pa u futur në barazh për Superligë që ka humbur nga ne dhe një tjetër ka rënë nga Liga e Parë në të Dytën”, thekson ai.

“Quza”: Njoh shitblerës të ndeshjeve që sot janë në FFK!

Heset Maliqi – “Quza” thotë se njerëzit e klubeve të tjera që shkonin në Ferizaj për t’i blerë lojë nuk e takonin direkt atë, por i çonin zyrtarë të tjerë të Ferizajt, të cilët “Quza” i kishte bashkëpunëtorë në klubin bardhekaltër.

“Ata në fakt nuk kanë ardhur asnjëherë direkt të takohen me mua. Ata kanë ardhur në Ferizaj dhe kanë çuar njerëz të klubit tonë, të cilët sot janë në Federatë dhe e kanë luajtur rolin e ndërmjetësuesit. Ata që kanë kërkuar t’ua lëshojmë lojën kanë thënë se ju japim para për sezonin e ardhshëm, etj.”, ka thënë ai.

“Quza”: FFK-ja ka pasur njohuri për këto

Ish-numri 1 i Ferizajt në rrëfimin ekskluziv për “Zërin” thotë se kurdisjet në futbollin kosovar kanë qenë “sekrete të ditura”. Madje, ai thotë se Federata ka pasur njohuri për krejt ato dukuri që ndodhin në futbollin tonë.

“Ta them të drejtën, kur doli skandali i fundit unë i shihja njerëzit që i njoh që kanë bërë dallavere dhe kishin shkruar status ‘turp, turp i madh’. Hipokrizia është shumë e poshtër”, thotë ai. “Kurdisja e ndeshjeve ka qenë një sekret i hapur, nuk besoj që nuk e ka ditur Federata apo të tjerët. Më duket se kemi shkuar me atë thënien: kemi probleme më të mëdha sesa të shitet një lojë. Patjetër që ka pasur njohuri edhe FFK-ja”, pohon “Quza”.

“Quza”: Edhe në futboll po votojnë të “vdekurit”

Duke e rrëfyer të kaluarën e tij në futbollin e Kosovës, prej të cilit thotë se e kishin shtyrë të largohet pikërisht dukuritë e ndryshme negative, ish-kryetari i Ferizajt ka dërguar kritika edhe në adresë të FFK-së.

“Derisa sot në zgjedhje FFK-ja e udhëhequr nga Fadil Vokrri arrin të krijojë klube të reja në Ferizaj ka klub që nuk ekziston, por që merr pjesë në Kuvend edhe ai shkon ia siguron 7-8 vota të rajonit të Ferizajt. Klube që nuk ekzistojnë. Ne jemi duke u marrë shumë me zgjedhjet komunale apo nacionale, se po votojnë të vdekurit. Por, edhe në Federatën e Futbollit votojnë të vdekurit. Një klub që nuk ekziston është i vdekur, joekzistues”, thotë ai, duke shprehur krenari, siç thotë ai, për ndershmërinë që ka treguar në futbollin e Kosovës në një klimë e ambient të çuditshëm.

“Gjatë tërë kohës sa kam qenë kryetar, kam dalë vetëm 232 euro minus nga raporti financiar që e kanë bërë ata vetë, pa qenë unë pjesëmarrës fare. Më kanë akuzuar se kam vjedhur. Unë e kam rregulluar stadiumin me 25 mijë euro, ndërsa të tjerët me 250 mijë. E kam futur me 8,500 euro ujin ndër tokë, që është digjital. Këta njerëz janë munduar të më degradojnë për shkak të frikës se do të dal dhe do të flas për shitje të lojës. Në kohën kur unë isha kryetar harxhimet mujore në klub kanë qenë deri në 9 mijë euro. Një vit para meje, që e ka mbajtur dikush tjetër klubin, shpenzimet kanë qenë 3,500 euro në muaj. E ata e kanë pasur buxhetin për 10,000 euro më shumë se unë, është një anomali. Unë kam hyrë aty me sinqeritetin më të madh sepse e kam dashur futbollin. Pastaj e kam parë që aty është njëfarë vorbulle që nëse nuk tërhiqesh të përpin me vete”, përfundoi ai. /Zëri/