Ferizaj, 02.11.2025 – Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Bujqësisë, ka përmbyllur sot njërin ndër proceset më të rëndësishme të mbështetjes për sektorin bujqësor, duke shpërndarë 140 pajisje bujqësore për fermerët ferizajas. Ky është kulmi i një viti të mbushur me investime dhe programe subvencionuese, të cilat, sipas kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, kanë qenë më të mëdhatë deri tani për këtë sektor.
Në publikimin e tij, kryetari Aliu theksoi se shpërndarja e sotme është pjesë e një vizioni afatgjatë për fuqizimin e bujqve dhe fermerëve lokalë, duke mundësuar rritjen e prodhimit, zvogëlimin e kostove të punës dhe modernizimin e praktikave bujqësore në komunë.
“Me shpërndarjen e 140 pajisjeve bujqësore për bujqit e fermerët ferizajas sot, mbyllëm ciklin e investimeve e mbështetjes për këtë vit përmes skemës së subvencioneve të Drejtorisë së Bujqësisë. Vit ky që kurorëzohet me mbështetje si asnjëherë më parë për bujqit e fermerët ferizajas, për të vazhduar të jemi dora e mbështetjes edhe në vitet pasuese.” – u shpreh kryetari Aliu.
Kjo skemë subvencionesh ka përfshirë pajisje të ndryshme bujqësore të domosdoshme për zhvillimin e sektorit primar, duke i ofruar fermerëve mjete moderne për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e punës së tyre. Përfituesit janë përzgjedhur në bazë të kritereve profesionale dhe nevojave specifike të fermave të tyre.
Me këtë akt simbolik, por tejet domethënës për komunitetin bujqësor, Komuna e Ferizajt shënon fundin e një viti të suksesshëm në mbështetjen e fermerëve, duke premtuar vazhdimësi të projekteve të reja dhe programeve që synojnë ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e ekonomisë lokale.
Shpërndarja e 140 pajisjeve është dëshmi e qartë e përkushtimit institucional që bujqësinë e Ferizajt ta shndërrojë në një sektor modern, konkurrues dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.