Ferizaj

Shoqëria civile në Ferizaj nuk e përkrahë përfaqësuesin e zgjedhur nga KK në komisionin komunal për dhënien e pronave në shfrytëzim

By FerizajPress

April 01, 2017

Organizatat dhe aktivistë të shoqërisë civile shprehin shqetësim të thelllë dhe kundërshtojnë mënyrën e përzgjedhjes së anëtarit nga shoqëria civile për komisionin vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale. Kuvendi komunal në mbledhjen e fundit ka votuar një anëtarë, i cili është propozuar në mënyrë të njëanshme nga shefi i grupit paralementar të LDK-së, pa u konsultuar fare dhe pa e pasur përkrahjen e shoqërisë civile të Ferizajt. Kryesuesi i komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale është dashur që të ftoj përfaqësuesit e shoqërisë civile që të nominojnë kandidatët e tyre për përzgjedhje në këtë komision sipas procedurave demokratiike dhe transparente të vendimmarrjes dhe në asnjë mënyrë ta procedoj për kuvend propozim-vendimin për zgjedhjen e anëtarit nga shoqëria civile pa pasur asnjë kanditaturë legjitime. Kësisoj, kryesuesi i komisionit njëherësh edhe drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik në Ferizaj së bashku me kuvendin komunal me ketë veprim kanë dëshmuar edhe një herë se nuk janë të interesuar të bëjnë punë efikase dhe efektive në interes të qytetarëve duke garantuar profesionalizëm dhe sundim të parimeve fundamentale të qeverisjes së mirë për të përfshirë shoqërinë civile në trupa vendimmarrese komunale. Përbërja e komisionit vlerësues është përcaktuar qartë nga Ligji Nr.04/L-144 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës komunale, në nenin 8, pika 2, ku thotë se komisioni përbëhet nga tre (3) anëtarë të ekzekutivit të propozuar nga kryetari i komunës, tre (3) anëtarë të subjekteve të ndryshme politke të përfaqësuara në kuvendin komunal dhe një (1) anëtar ekspert nga shoqëria civile. Rrjedhimisht, për plotësimin e komisionit me një (1) anëtarë ekspert nga shoqëria civile, kryetari i komunës së bashku me kryesuesin e komisionit është dashur që të koordinohen me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të hapin diskutimet për propozimin e kandidaturave.

Ne i rikujtojmë kuvendit komunal se përfaqësuesi i shoqërisë civile, tashmë i dorëhequr, ka pasur përkrahjen dhe konfirmimin e të gjithë anëtarëve aktiv të organizatave jo-qeveritare, medieve, grupeve të interesit dhe qytetarëve të tjerë aktiv në komunën tonë. Konsiderojmë se kjo logjikë e imponimit dhe vendimmarrjes së njëanëshme është tejkaluar në komunën tonë dhe është vendosur praktikë e mirë e përfshirjes së shoqërisë civile në trupa komunale, siç kishtë ndodhur në fillim të themelimit të këtij komisioni. Andaj, ne nuk e përkrahim përfaqësuesin e sapo zgjedhur për arsye të mënyrës së propozimit të tij, si dhe në frymën kolegiale të bashkëpunimit i kërkojmë që të tërhiqet nga ky propozim-votim i njëanshëm. Gjithashtu, kërkojmë nga kuvendi komunal që ta tërheqë këtë vendim dhe të ftoj ekspertë nga shoqëria civile që të përzgjedhin përfaqësuesin e tyre për këtë komision. Organizatat dhe aktivistët përkrahës të deklaratës: Iniciativa për Progres (INPO) QM Tema Tv Liria