Ferizaj

Shkolla “Gjon Serreçi” kërkon kthimin e hapësirës së Qendrës Didaktike

By FerizajPress

July 20, 2016

Shkolla “Gjon Serreçi” kërkon kthimin e hapësirës së Qendrës Didaktike, e cila në mungesë të një përgjegjësi është amortizuar skajshmërisht.

Ferizaj,  20 korrik. Pas katër vitesh qëndrimi e mbyllur, sot janë hapur dyert e Qendrës Didaktike, që ndodhet në hapësirat e SHFMU “Gjon Serreçi”.Gjendja aty ishte e mjerueshme nga mungesa e një përkujdesi. Drejtuesit e shkollës “Gjon Serreçi”, po kërkojnë që kjo hapësirë e pashfrytëzuar t’iu kthehet dhe në të të vendoset një ordinancë shkollore stomatologjike. Drejtori i kësaj shkolle, Milazim Dërguti, ka thënë se disa herë i është  drejtuar MASHT-it me kërkesën për lirimin e kësaj hapësire, por me kot kishte pritur. Në pritje të një takimi me zyrtarët e kësaj ministrie, ai sot  së bashku me stafin drejtues të shkollës dhe me ish-përgjegjësin e kësaj qendre, Agim Olluri, i cili ndodhet në pension, e kanë hapur qendrën dhe  kanë filluar regjistrimin e inventarit dhe materialit shkollor.

“Po planifikojmë që që në këtë hapësirë në kuadër të një projekti ta vendosim një ordinancë stomatologjike për nevojat e nxënësve.Ne nuk kemi hapësirë tjetër andaj jemi detyruar që të veprojmë”, ka thënë Dërguti, raporton TV Liria.

Për gjendjen mjeruese të kësaj qendre ka fol edhe ish –zyrtari i kësaj qendre profesori Agim Olluri. Ai thotë se para pensionimit ka kërkuar nga ministria caktimin e një punëtori përgjegjës në këtë qendre, por prej atëherë nuk ka pasur asnjë lëvizjeje dhe se ende i mbanë çelësat e kësaj qendre.

Mësohet se gjatë ditës drejtoria e shkollës ka pasur një takim me zyrtarët e MASHT-it për këtë çështje, mirëpo pavarësisht kësaj, ata thonë se ministria duhet të bëjë një zgjidhje tjetër, ngase nxënësit e kësaj shkolle kanë nevojë për këtë hapësirë.