Editorial

Shkelzen Marevci: Edukata Fetare në shkollë, domosdoshmëri!

By FerizajPress

April 18, 2016

Në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovën e pasluftës është krijuar një terren i mundësive për  mashtrues dhe manipulues, që në emër të Fesë kanë bërë dëme të pariparueshme në normën dhe  moralin e shoqërisë tonë. Mashtrues të tillë ka si nga feja Islame po ashtu edhe nga ajo Krishtere. Shekuj me radhë populli shqiptar ka reflektuar më shumë se tolerancë e integrim ndërfetarë, ka pasur bashkëjetesë e vëllazëri ndërfetare. Kjo na bënë të veçantë në botë.  Pse duhet të etiketohet Feja? Deri kur me mashtrime? Pse duhet të jepet mundësia që njerëz të ndryshëm dashakëqinjë e kriminel të veshin petkun e Fesë për të arritur e rritur vlerën dhe vëmendjen e veprimeve të tyre antinjerëzore. Mashtrimet në emër të Fesë ndikojnë jashtëzakonisht në ngritjen e nivelit radikal dhe ekstremist, njëkohësisht në uljen e besueshmërisë në besim. Pse duhet të dyshojmë se mos vallë në doktrinën Fetare ndonjëherë mund të arsyetohen veprimet e tilla, kur të dërguarit e Zotit dhe Zoti gjithmonë bëjnë thirrje për: Paqe, Dashuri, ruajtje të Xhamive, Kishave, Sinagogave e faltoreve tjera, bëjnë thirrje për falje e shpëtim të jetëve, bile thonë: të shpëtosh një jetë është sikur të shpëtosh tërë njerëzimin, sikurse të vrasës një jetë është sikur të kesh vrarë tërë njerëzimin!

Fetë bashkojnë popujt. Të gjitha luftërat janë politike, por u’a veshin fesë.

Aktualisht situata ka ardhur si pasoj e trajtimit jo adekuat që ka pasur shteti në raport me mashtrues dhe manipulues në emër të Fesë. Vlerësojë se “Qelës Kristalizues” i dallimit të së mirës nga e keqja, është futja e Edukatës Fetare në sistemin arsimor publik. Këtu futet përgjegjësia e shtetit dhe vije në pah ndikimi laik shtetërorë.

Nuk duhet të tolerojmë për asnjë arsye që individ të ndryshëm pa argumente të mirëfillta, apo të bazuar në emocione e stereotipe të kundërshtojnë Edukatën Fetare në sistemin arsimorë. Edukata Fetare në shkolla edhe më shumë do të potencon laicitetit e sekularizmin e shtetit tonë. Vetëm atëherë mund të dallojmë këtë gjë. Me fitimin e njohurive për doktrinën fetare nga ekspertë teolog e filozofë mund të ndajmë “shapin nga sheqeri”, vetëm atëherë do të jemi të vetëdijshëm se çfarë dimë dhe çfarë duam. Nomenklatura lëndore ka rëndësi psikologjike dhe ndikon në të mësuarit dhe të nxënit inkluzivë të asaj që shpjegohet. Pra nuk është e mjaftueshme që në kuadër të lëndëve të ndryshme mësimore të futen kapituj mbi çështjet fetare dhe vetëm shkarazi të shpjegohen, se edhe shkarazi reprodukohen nga të rinjtë tanë dhe pasojat e “shkarazisë” është terrorizmi global në emër të besimit. Boll më, që grupet fetare të merren me çështjet fetare. Jo. Është koha e interpretimeve shkencore e pragmatike të religjionit. Kjo bëhet në shkollë dhe askund tjetër. Këtu nuk kemi “Shpëlarje Truri”. Nxënësit tanë përmes ekspertëve të Edukatës Qytetare do të marrin njohuritë e nevojshme dhe të qena, do të jenë të liruar nga emocionet, dogmat dhe frymëzimet e qëllimshme. Edukimi legal fetar, jo vetëm që nuk e cenon laicitetin e shtetit dhe sekularizmin e sistemit arsimorë, por është një investim për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e tolerancës fetare në vendin tonë. Me vetë dëshirë do të përcaktohen për lëndën zgjedhore, për kohën kur do ta mbajnë dhe për cilën Fe dëshirojnë të marrin informatat e shëndosha. Marrja e njohurive të shtrembëruara nga fëmijët dhe adoleshentët për një besim fetar, shumë herë përjashtuese për besimet e tjera fetare, të joshura në disa raste me ndihma ekonomike të ofruara nga organizata me origjinë dhe financime të dyshimta, e bënë këtë “kontingjent” lehtësisht të manipulueshëm për t’u përdorur për veprime antiligjore terroriste dhe një kërcënim serioz të vazhdueshëm. Prandaj, nuk duhet të lejojmë në asnjë mënyrë që  fëmijët tanë të jenë të rrezikuar nga mashtrues dhe manipulues që flasin pa kompetencë  dhe mashtrojnë  në emër të Fesë. Nga trevat shqiptare tashmë u janë bashkuar rreth 500 persona organizatave terroriste. Një numër i konsiderueshëm i tyre tashmë janë të vrarë dhe kjo krejt për shkak të mashtrimeve dhe manipulimeve nga mashtrues të vetëquajtur “njohës fetar”. Nuk kemi kohë për të humbur. Çdo moment i humbur nga edukimi i rinisë, kushton me prishje të tolerancës ndërfetare dhe me prodhim të terroristëve. Është koha që ky fenomen të trajtohet ndryshe nga e kaluara.

Njohuritë për Fenë nuk do të merren më nga injorantët, por, nga ekspertë adekuat me njohuri të astrofizikës e matematikës, psikologjisë e pedagogjisë, sociologjisë e filozofisë, biologjisë e gjeografisë dhe etikës e moralit! Kështu zhvillohet sensi kritik për vlerat e shoqërisë.

Edukimi Fetar për kushtet e vendit tonë, me popullsi relativisht të vogël, me katër besime fetare tradicionale, nuk mund të jetë thjesht një problem pedagogjik e arsimorë, por ai ka ndikim edhe në Sigurinë Kombëtare.

Situacioni aktual duhet të prevenohet në përçarjen dhe dhunën brenda popullit tonë me Fetë zyrtare dhe këtë e bënë pa dyshim futja e Edukatës apo Mësimit Fetar në sistemin arsimorë. Vetëdijesimi i shoqërisë për një jetë të lumtur dhe në harmoni e tolerancë ndërfetare, duhet të filloj që nga shkolla. Sikur të merren njohurit fetare nëpër shkolla nga mësimdhënës dhe programe të aprovuara dhe monitoruara nga shteti, pa asnjë mëdyshje mundësia për dhunë dhe përçarje do të jetë minimale. Duart e armiqve të popullit shqiptar, që futën nëpërmjet mashtruesve dhe manipuluesve janë më të forta ndaj atyre që nuk kanë as bazat elementare të njohurive për Fenë. Prandaj, duhet të ndikojmë direkt në vetëdijesimin e shoqërisë. Pra, ndikimi pozitiv i Edukatës Fetare është në marrja e informacionit të duhur për besimet kryesore fetare dhe me këtë arrijnë të kenë njohuri më të plota për botën moderne dhe sensin objektiv, konstituohet morali dhe etika, mbrojtja nga mashtrimet dhe manipulimet në emër të Fesë (ruhet vëllazëria fetare), dobësohet ndikimin i duarve të armiqve të përbetuar të popullit tonë që me çdo kusht dhe pareshtur mundohen të na përçajnë, ruhet i shëndoshë ambienti i sigurisë apo nuk mund të shfrytëzohen Fetë për të cenuar sigurinë kombëtare etj.

Shoqëria duhet patjetër të jetë e hapur dhe mendimet ndryshe duhet të vlerësohen, mirëpo argumentet duhet të jenë të bazuara në hulumtime dhe analiza që i plotësojnë të gjitha kriteret shkencore. Ata që kanë mendim kundër, absolutisht kanë të drejtë të mbajnë mendime të tilla dhe madje t’i shfaqin publikisht, mirëpo jo deri në atë masë që nga urrejtja patologjike që mund të kenë për fetë të sfidohet dhe të rrezikohet rinia. Zakonisht kundërshtojnë ata që janë më të paktë në numër nga frika për t’u zvogëluar më shumë, edhepse mund të ndodhë e kundërta nga besueshmëria e informatave që merren. Kur është në pyetje plotësimi i moralit të shoqërisë  nëpërmjet Lëndës Zgjedhore pavarësisht a jemi ateist apo kemi besime të ndryshme, obligohemi të gjithë të kontribuojmë pozitivisht. Shumica e shteteve që ne i synojmë me sistem arsimorë të mirëfilltë, me siguri kombëtare e me zhvillim ekonomik Edukatën Fetare e kanë të integruar në të gjitha nivelet edukative arsimore. Në Austri e Angli mbahet mësimi fetar në të gjitha shkollat, e pjesë e këtij mësimi është edhe Edukata Islame. Gjermania me Kushtetutë e garanton mësimin fetar në shkollat shtetërore si lëndë “normale”. Në Spanjë është lëndë fakultative me theks të veçantë Katolicizmi. Në Finlandë, Danimarkë e Belgjikë, Edukata Fetare është e garantuar me ligj ku pjesë e kësaj edukate është edhe ajo Islame. Në Irlandë Kushtetuta garanton të drejtën e prindërve që fëmijët e tyre të arrijnë jo vetëm njohuri fetare, por edhe edukatë fetare. Norvegjia ka Kishën shtetërore si dhe obligueshmërinë e mbajtjes së Mësimit Fetar. Në shkollat ku ka numër të konsiderueshëm të pakicave fetare organizohet mbajtja e Mësimit Fetar nga shteti që i pranon dhe i paguan mësimdhënësit e lëndës fetare të tyre. Hungaria ka një rregull tjetër, mësimi fetar është lëndë fakultative dhe nuk është e përfshirë në planprogramet shkollore, mësimdhënësi fetar nuk është anëtar i këshillit mësimorë por nëpunës kishtar që e paguan shteti. Në Lituani gjithashtu, e në Itali prej vitit 1985 pas nënshkrimit të marrëveshjes (Konkordatit) me Vatikanin, mësimi fetar është lëndë sipas dëshirës.

Shekulli i informacionit (shek.XXI) kërkon informacionin kompetent që merret vetëm në qarqe dhe edukim kompetent!!